Ku gaboi Krifca me vajin e ullirit? Ekspertët: Duhen standarde dhe laboratorë të certifikuar për eksportin

28/12/2022 19:43

Fermerët këtë vit nuk iu gëzuan prodhimit të mbarë të ullirit, sepse bujku shqiptar ende nuk ka arritur të shesë vajin e ullirit të prodhuar një vit më parë.

Puna e fermerit të ullirit, nuk ka marrë vëmendjen e Ministrisë së Bujqësisë për të krijuar tregun e vajit ulliri bio, Made in Albania. Fermeri mundohet që tregun e vajit ta sigurojë nëpërmjet të afërmve të tij, pasi Shqipëria ende nuk ka një markë të sajin të vajit të ullirit që mund të shitej përtej kufijve, por sipas ministres Frida Krifca, nuk është kjo arsye se përse fermerët po përballen me mungesën e tregut, por gabimi është i fermerëve që zgjodhën të merren më këtë kulturë bujqësore.

“Kemi një prodhimtari të lartë të vajit të ullirit. Kemi pasur ndër vite mbi mbjellje të rrënjëve të ullirit, të cilat janë mbjellë pa një strategji të qartë. Kemi rreth 10 milionë rrënjë ulliri”, është shprehur ministrja Frida Krifca.

Në fakt, janë 11 milionë rrënjë ullinj. Ndryshe nga Frida Krifca, ekspertët e bujqësisë thonë se nga këto miliona pemë, Shqipëria mund të sigurojë të ardhura ekonomike, gjithmonë nëse ministria përgjegjëse do të hapte tregjet ndërkombëtare.

“Të ndërtojmë standarde te cilat na lejojnë të shesim qoftë me sasi të mëdha me çmim  shumice të paambalazhuar ia çojmë vendeve fqinje, ose më e mira do të ishte të arrijmë të bëjmë një brand dhe të dalim në treg. Unë kam një eksperiencë që më ka qëlluar që të dërgoj mostra në Japoni dhe ato kërkonin me 20 mijë ton vaj ulliri, atë lloj cilësie vaji. Praktikisht ishte e pamundur pasi 20 mijë ton janë shumë, por mund te fillohet me vende të tjera që kanë rritje të kërkesës  të vajit të ullirit nga vendi jonë”, shprehet eksperti i bujqësisë, Zef Gjata.

Po cila është rruga që duhet të ndjekë ministria e bujqësisë për të shpëtuar fermerët nga falimenti?

“Të stimulohet dorëzimi i vajit të ullirit tek grumbulluesit dhe eksportuesit , dhe të subvencionohet 100 L/litër. Masa e dytë e rëndësishme është dhe ngritja e kapaciteteve laboratorike. Është e domosdoshme edhe laboratorët që analizat e vajit të ullirit të certifikohen. Që do të thotë qe analize vaji ulliri në Tiranë të njihet në vendin ku do të eksportohet”, thotë eksperti Ndoc Fasllia.

Që në kohën e Skënderbeut ka qenë traditë që çiftet e reja të mbillnin një rrënjë ulli për mbarësi dhe për ti’a atë lënë trashëgimi brezave. Ashtu si një ulli shekullor në Petrelë është mbjellë nga nga të parët tanë, dhe sot frutat e tij po i gëzon brezi jonë.

Ndërkohë që çmimi i vajit të ullirit ka rënë, aq sa një litër i vajit të ullirit bio kushton më lirë se një litër vaji misri. Ministria e Bujqësisë thotë se fajin për këtë e kanë fermerët që kanë mbjellë milion pemë ullinj, ne po pyesim zonjën Krifca, për të rregulluar çmimin mos vallë duhet t’i sharrojmë ullinjtë e të parëve tanë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA