Ndërsa qarqet qeveritare greke u shprehën me superlativa për vizitën e kryeministrit grek në zonat e minoritetit në jug të Shqipërisë dhe deklaratat e tij se “Do të bëj gjithçka që kam në dorë për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve që ju shqetësojnë”, opozita greke e ka konsideruar atë një udhëtim elektoral me synim votat e grekëve homogjenë.
Por ndërsa Kyriakos Mitsotakis ka qenë kryeministri i parë pas 31 vitesh, pas babait të tij që vizitoi zonën e minoritetit në Shqipëri, kreu i opozitës Aleksis Tsipras ka shpjeguar në prag të Krishtlindjeve se përse ai gjatë kohës kur ka qënë kryeministër nuk ka shkuar pranë grekëve minoritarë.
Sipas traditës ai ka pritur mëngjesin e së shtunës në zyrat e partisë opozitare Syriza, për të dëgjuar kalendrat, fëmijë nga shoqatat e grekëve të minoritetit në Shqipëri që tashmë jetojnë në kryeqytetin grek dhe në një dialog me nënkryetarin e Omonias në Greqi, Giorgos Tzomakas, i cili e ka ftuar atë të vizitojë zyrtarisht zonat e minoritetit në Shqipëri është përgjigjur:
“Një nga arsyet që nuk e pranova ftesën e mikut tim Edi Rama ishte se nuk mund të pranoja kurrë, që pa avancuar çështjet e minoriteteve, të organizoja festa. Rruga europiane e Shqipërisë duhet të kombinohet me hapa shumë të rëndësishëm në çështjen e të drejtave, të të drejtave të njeriut dhe sigurisht në çështjen e pronave të minoritetit grek sepse të drejtat e njeriut dhe BE shkojnë bashkë, nuk janë dy gjëra të ndara. Dhe ne do të mbështesim vendin fqinj në zgjedhjen e tij nëse, natyrisht, edhe ai vepron në përputhje me parimet dhe vlerat e BE-së”, tha Aleksis Tsipras lideri i Syirza-s.
Ε ndërsa Mitsotakis ka marrë midis të tjerash dhuratë nga homogjenët ,një portret të dropullites, Tsipras ka pranuar dhuratat e bëra nga shoqata e minoritarëve, ku midis të tjerash ka marrë edhe një bluzë me emrin e tij dhe datën e ditëlindjes, ndërsa ka premtuar se shoqëria greke duhet të jetë më pranë grekëve minoritarë të Shqipërisë.
Disa muaj pranë zgjedhjeve parlamentare në Greqi duket se tashmë partitë e mëdha dhe jo vetëm llogarisin çdo votë, për më tepër atο të grekëve minoritarë, qoftë të atyre që jetojnë në Greqi, por edhe të atyre që mund të vijnë të votojnë nga fshatrat e minoritetit me kusht që më parë të regjistrohen në listat zgjedhore të ministrisë së Brendshme.
Top Channel