Në ditën e 13 të bllokadave serbët organizuan një protestë të enjten, siç thanë ata kundër terrorit të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Qytetarë serbë që morën pjesë ishin edhe nga komunat e tjera me shumicë serbe, Kllokoti, Parteshi e Ranillugu e po ashtu edhe nga Graqanica. Kjo bazuar në regjistrimet e targave të makinave.

Gjithashtu të tjerë janë parë të shkojnë edhe me autobusë. Vendtakimi i serbëve për protestë ishte Te Kryqi në Rudarë të Zvecanit, përtej barrikadës së parë të rrugës që të çon për Jarinjë.

Qytetarët që iu bashkuan kësaj proteste përdorën rrugët alternative për të arritur tek pika e takimit.

Thirrjet e serbëve ishin se “nuk kanë lindur fëmijë për snajper të Kurtit” e u përcollën edhe me shpalosjen e një flamuri serbë disa metra të gjatë duke thënë edhe që “nga këtu nuk ka kthim prapa”.

Në protestën e Rudarës u kërkua edhe lirimi i ish- policëve Dejan Pantiç, Milan Haxhiç dhe Sllagjan Trajkoviç, përmes djalit të Dejan Pantiç i cili foli para masës.

“Babai im është arrestuar dhe tashmë është shpallur fajtor. Babai im është fajtor sepse është serb dhe ka jetuar gjithë jetën këtu. Njerëzit e njohën veten tek babai im , pa qe nesër mund te arrestohet kushdo nga ne si ai”, tha Predrag Pantiç, djali i ish-policit Dejan Pantiç.

E ish-ministri i Qeverisë së Kosovës, Goran Rakiç u shpreh se terrori i Kurtit mblodhi protestuesit të enjten.

“Terrori që pësojmë çdo ditë, listat sekrete, arrestimet dhe keqtrajtimi i forcave speciale të Albin Kurtit janë shkaku i tubimit të sotëm. Duam të themi se duam paqe dhe liri, por edhe se nuk mund të heshtim ndaj padrejtësive, ndaj rrahjes së popullit tonë, të pranojmë që të zhdukemi në heshtje nga vendi ynë“, tha Goran Rakiç kryetar i Listës Serbe.

Përgjatë rrugëve deri tek pika e grumbullimit edhe persona të maskuar qëndronin në mesin e protestuesve.

Për të mbikëqyrur situatën KFOR dhe EULEX kishin shtuar praninë e forcave të tyre ne Rudarë.

Që nga 10 dhjetori serbët e veriut mbajnë të bllokuara rrugët për tek pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak në shenjë kundërshtimi të arrestimit të ish-policëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA