Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Llogora, ku ish-kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka përplasur të miturin Elio Hamiti.
Burimet për Top Channel bëjnë me dije se i mituri ka dëmtime në kokë dhe organet e brendshme, si pasojë e përplasjes së fortë.
17-vjeçari ka qenë duke kaluar rrugën për të shkuar tek lokali i gjyshes së tij, i cili ndodhet në afërsi të fushës së sportit në Llogora. Në atë moment Vasil Bollanos ka kaluar në këtë aks rrugor dhe e ka përplasur.
I riu është në gjendje të rëndë, ndërsa është nisur drejt Tiranës për mjekim të specializuar, pasi ka pësuar “poli traumë” dhe ndodhet në koma të thellë.
66-vjeçari u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme.
“Rreth orës 17:00, në Llogara, pranë fushës së sportit, shtetasi V. B., 66 vjeç, banues në Himarë, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka aksidentuar shtetasin E. H., 17 vjeç, këmbësor në rrugë, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Drejtuesi i mjetit, shtetasi V. B, u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet e mëtejshme për aksidentin”, sipas policisë.
Vasil Bollano është ish-kryetar i Omonoias, Unioni Demokratik i Minoritetit Grek dhe përfaqësues i grekëve që jetojnë në Shqipëri. Omonoia është një organizatë sociale, politike dhe kulturore në Shqipëri që promovon të drejtat e minoritetit grek në jug të vendit
Në 21 prill të vitit 2009 ai u dënua me gjashtë muaj burg dhe 3800 euro gjobë, për heqjen e sinjalistikës rrugore. Bollano kundërshtoi tabelat, të cilat ishin vendosur nga autoritetet kombëtare, sepse ato ishin të shkruara vetëm në gjuhën shqipe dhe jo edhe në greqisht. Bollano apeloi kundër vendimit duke argumentuar se vendosja e sinjalistikës rrugore ishte një çështje e juridiksionit bashkiak, dhe gjykata e Apelit rrëzoi dënimin fillestar.
Në dhjetor të vitit 2009, pas hetimeve në Prokurorinë e Vlorës, ai u padit për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare pas dhënies së lejeve të paligjshme të ndërtimit përgjatë bregdetit jugor shqiptar.
Më 24 maj të një viti më pas, një bombë shpërtheu në banesën e Bollanos, duke shkaktuar dëme në shtëpinë e tij dhe makinat e parkuara aty pranë. Më 8 maj 2011 humbi në zgjedhjet vendore nga Jorgo Goro i Partisë Socialiste.
Top Channel