Zvicra, një vend neutral në raste konfliktesh, ka tentuar të japë ndihmën e saj për zgjidhjen e ngërçit në veriun e Kosovës.
Media Swissinfo.ch thotë se atje është zhvilluar përpara pak kohësh një një takim sekret mes palës kosovare dhe asaj serbe.
Për një takim të fshehtë kishte folur më herët edhe gazeta tjetër zvicerane NZZ. Tentativat, me sa duket vazhdojnë. “Takime sekrete mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë po mbahen në Zvicër në përpjekje për të zbutur tensionet në rajonin e Ballkanit”, nis shkrimi i Swissinfo. Ka qenë Ministria e Jashtme zvicerane ajo që i ka organizuar këto takime, përmbajtja e të cilave nuk është bërë publike. Që nga viti 1999, Zvicra është përfshirë në misionin paqeruajtës ndërkombëtar të NATO-s, Forca e Kosovës (KFOR) në Kosovë.
Aktualisht në rajon janë 195 ushtarë zviceranë. Ministria e Jashtme e saj beson se diplomacia është mjeti i duhur për të zbutur situatën aktuale, me disa incidente gjatë të cilave ka pasur dhe të shtëna me armë zjarri në disa pika të izoluara. Ligjvënësi zviceran Franz Grüter, i cili pritet të vizitojë shumë shpejt rajonin me në një mision faktmbledhës, i tha gazetës se ngërci i krijuar atje ngjan disi me atë të Rusisë dhe Ukrainës.
“Nuk mund të përjashtohet rreziku që e njëjta gjë të ndodhë në Ballkan dhe që Serbia të hyjë në Kosovë me mbështetjen e Rusisë”, citohet të ketë thënë ai. Megjithatë, ish-ambasadori i Zvicrës në Kosovë Jean-Hubert Lebet, mendon se gjendja nuk është aq alarmuese “Si ambasador kam përjetuar disa herë provokime të tilla serbe”, tha ai, duke shtuar: “Çdo herë ka qenë bllof, dhe nuk e kuptoj përse duhet të jetë ndryshe këtë radhë.”
Top Channel