Moska kërkon spiunen në Shqipëri/ Kërkon ekstradim të 33-vjeçares së kapur në uzinën e armëve në Gramsh

19/12/2022 15:10

Federata Ruse po tenton me çdo kusht të shpëtojë nga dënimi në Shqipëri, Svetlana Timofoeva një prej tre rusëve të arrestuar në mesin e shtatorit nën dyshimin se kishin ardhur me mision spiunazhi.

Mikhail Zorin dhe Fedis Alpatov pasi u futën në perimetrin e ish-uzinës ushtarake në Çekin të Gramshit, hodhën spray me lëndë djegëse për sytë, tek ushtarët që ruanin objektin.

Po në të njëjtën ditë në 20 shtator 2022, ata do të arrestoheshin dhe ndaj tyre prokurori Kreshnik Ajazi ngriti akuzat për veprat penale, “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim .

Gazetari Top Channel Muhamed Veliu, mëson se Rusia zyrtarisht i kërkon Shqipërisë ekstradimin e 33-vjeçares Timofoeva, e cila deri më tani përballë grupit hetimor ka thënë se ajo është thjesht një blogere.
Javën e shkuar, Ministrisë së Drejtësisë i ka mbërritur kërkesa ekstradimit, kaluar më pas për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Përgjithshme.

Në kërkesën e ekstradimit parë nga Top Channel, thuhet se Svetlana Timofoeva në vitin 2018 është përfshirë në vjedhjen e dokumenteve sekrete shtetërore, nga një institucion rus, për të cilin nuk jepen detaje të tjera.

Megjithëse në kërkesë, specifikohet se kjo vepër penale është kryer në vitin 2018, urdhër arresti është lëshuar vetëm disa ditë pas arrestimin në Shqipëri të Svetlana Timofoeva, bashkë me Mikhail Zorin dhe Fedis Alpatov.

Një burim afër hetimeve të kësaj ngjarje pohoi për Top Channel se kjo kërkesë e Rusisë për ekstradimin e Svetlana Timofoeva tregon rëndësinë që ajo ka tek ata të cilët e dërguan me mision spiunazhi në Shqipëri.

“Ky zhvillim e rëndon pozitën e saj, pasi indirekt vërteton ardhjen e saj me një mision të mirë-organizuar ndoshta nga shërbimi sekret ushtarak rus GRU”, deklaroi i njëjti burim.

Kërkesën e ekstradimit të Rusisë do ta shqyrtojë në javët e ardhshme Gjykata e Elbasanit. Të tre të arrestuarit e kësaj ngjarje vijojnë të jenë në burg me masën, e dhënë nga gjykata e Elbasanit arrest me burg lënë në fuqi edhe nga Apeli Durrësit me 20 Shtator.

Svetlana Timofoeva, mbahet në burgun e grave të Tiranë por për një periudhë tre mujore ajo ka qëndruar në spitalin e burgut, nga ku kohën e ka shfrytëzuar të mësoje edhe shqip. Hetimet për këtë incident të rëndë, vlerësuar si sulmi i parë i Rusisë në një vend të NATO-s, vijojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA