Shqipëria dhe Mali i Zi shkelën embargo ndaj Rusisë pasi lejuan tregtinë e grurit dhe plehrave kimikë mes saj dhe Serbisë përmes Portit të Durrësit, pretendon media malazeze “Pobjeda”.
Për muaj të tërë, thuhet në shkrim, sasi të mëdhatë fertilizuesish artificialë u transportuan me kamionë nga ky port drejt Hanit te Hotit dhe më tej përmes territorit malazez drejt Serbisë, ndërsa kontigjente gruri u transportuan nga Serbia në Federatën Ruse në të njëjtën rrugë.
Pobjeda citon për këto pretendime të saj burime nga sektori malazez i sigurisë dhe Drejtoria vendase e doganave. Në këtë mënyrë, thotë ajo edhe Mali i Zi u përfshi në mënyrë indirekte në shkeljen e sanksioneve të Bashkimit Europian ndaj Federatës Ruse, në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Dritan Abazovicit, përmes të cilit Podgorica iu bashkua politikës së sanksioneve të rrepta kundër regjimit të Vladimir Putinit. Për më shumë se një vit, tsasi të mëdha plehrash kimikë, kaluan nga Shqipëria përmes Malit të Zi në Serbi, dhe në deklaratat doganore në fillim shkruhej qartë vendi i origjinës: Federata Ruse.
Deri në fillim të dhjetorit, theksojnë burimet e Pobjedës, në Serbi janë dërguar pothuajse 8 mijë kamionë me plehra kimikë. Ndërkohë, rreth 6000 kamionë me drithë kaluan nga Serbia, transit nëpër territorin malazez, drejt Shqipërisë dhe më tej në Rusi.
Gazeta thotë se qeveria malazeze, pas disa vonesash në 8 prill miratoi zyrtarisht sanksionet kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj ushtarak kundër Ukrainës, e atëherë, një grup personash nga Rusia, Shqipëria dhe Serbia – pronarë të kompanive të afërta me autoritetet e të tre vendeve u përpoqën të fshihnin vendin e origjinës në këtë biznes tregtar. Nga anijet në Portin e Durrësit në Shqipëri, plehu ngarkohej në kamionë në thasë të mëdhenj që mbanin disa qindra kilogramë, të cilët nuk shënonin vendin e origjinës së mallit dhe përbërjen e lëndës së parë.
Burimet e gazetës nuk mund të specifikojnë se sa tonë pleh janë transportuar nga Rusia, nëpërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, drejt Serbisë, por janë kategorike se shkelja e sanksioneve ka zgjatur për disa muaj.
Top Channel