Analisti Arjan Curri shpjegoi në “Top Story” strategjinë që përdori presidenti serb për pjesëmarrjen në samit, duke e konsideruar një sjellje të përkëdhelur.
Sipas tij Aleksandar Vuçiç e ka pjesë të tij lojën me dy porta në politikën e jashtme, ndërsa shtoi se nuk ka pasur rrugë tjetër.
“E shikoj një sjellje të përkëdhelur të presidentit të Serbisë i cili e ka bërë edhe herë të tjera këtë. Mos harrojmë që ai e ka pjesë të politikës së jashtme luajtjen me dy porta. Pra edhe me BE-në e Perëndimin edhe me flirtimin që ka me Rusinë, herë pas here edhe me Kinën. Po edhe me Turqinë. Ideja është këtu, që ai lider i BE-së, kryesisht i Ballkanit Perëndimor, që do të mungonte në këtë samit do të dënonte veten dhe vendin e tij. Dihej që nuk do të mungojë Serbia, nuk ka rrugë tjetër”, tha Curri.
Gjithashtu në lidhje me këtë situatë ai u shpreh se është e pamundur që një vend të mos shkonte, ndërsa shpjegoi se Spanja ka dërguar letër arsyetimi për mospjesëmarrjen në samitin që u zhvillua sot në Tiranë midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
“Është e pamundur që një vend mos të vijë fare. Gjithmonë dërgojnë një përfaqësues, nuk ndodh. Spanja ka dërguar një letër kryeministrit Rama ku ka arsyetuar mungesën e tij, pasi kanë ditën e Kushtetutës”, shtoi më tej analisti.
Në lidhje me veprimin e presidentit serb, Curri tha se Vuçiç ka dashur t’u tregojë të tjerëve se përveç akuzave për bashkëpunim me Rusinë, ata arrijnë t’ia dalin. Ai theksoi se kjo gjë ka qenë një show midis të dyja palëve, në lidhje me pjesëmarrjen.
“Vuçiç arriti ta rrëmbente skenën sepse tërhoqi vëmendjen ndërkombëtarisht, Ai tha që nuk do të vij dhe erdhi. Ai këmbëngulte faktin që edhe pse na kritikojnë se kemi një marrëdhënie me Rusinë, gjithsesi unë dua t’i kujtoj njerëzve që jemi një vend i pavarur, sovran. Politikës së jashtme të vetes i shërbeu dhe fakti që bëri sikur s’do vinte po pastaj erdhi edhe Rama që erdhi e tha që do vijë se se s’bën. Ishte një show tjetër i një lloj partneri tjetër në këto show që tregoi që e solla unë”, përfundoi Curri.
Top Channel