110-vjetori i Forcave të Armatosura/ Begaj: Kjo kohë me sfida të shtuara ndaj sigurisë dhe paqes kërkon më shumë përkushtim dhe përgjegjshmëri

04/12/2022 11:13

Presidenti i Republikës Bajram Begaj vlerëson punën e Forcave të Armatosura, nëpërmjet një mesazhi të publikuar me rastin e 110-vjetorit të themelimit tyre.

“Përjetë mirënjohës arkitektëve të pavarësisë, të cilët në ato ditë të vështira, kur vihej në pikëpyetje ekzistenca e shtetit të sapoformuar, me guxim, mençuri dhe atdhetarizëm të lartë, themeluan një nga shtyllat e domosdoshme të garantimit të pavarësisë së shtetit Shqiptar.

4 dhjetori i vitit 1912 shënoi themelimin Forcave të Armatosura në historinë e shtetit dhe kombit tonë. Rrugëtimi 110 vjeçar i Forcave të Armatosura ka qenë i vështirë dhe i mbushur me sfida”, shkruan Begaj.

Presidenti kujton se ky 110-vjetor, i gjen Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, anëtarë të NATO-s, të afta të përmbushin misionin kushtetues dhe detyrimet Euro-Atlantike.

“Arritjet e deritanishme janë rezultat sa i përkushtimit dhe mundit të përbashkët, aq edhe i mbështetjes së vyer e të pazëvendësueshme të miqve dhe aleatëve tanë të NATO-s. Mirënjohja dhe vlerësimi ynë është maksimal për ndihmën e dhënë për transformimin, modernizmin, trajnimin, edukimin dhe rritjen e kapaciteteve tona ushtarake, falë bashkëpunimit tonë të ngushtë në tre dhjetëvjeçarët e fundit.

Në një kohë me sfida të shtuara ndaj sigurisë dhe paqes, është i domosdoshëm më shumë
përkushtim, përgjegjshmëri dhe angazhim i pakursyer nga të gjithë ne.

Jam i bindur se angazhimi dhe detyrimi ynë do të vijojë të mbetet i shenjtë ndaj Atdheut, Nderit dhe Detyrës!

Gëzuar 110-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura!”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA