110-vjetori i Pavarësisë, Presidenti Begaj merr mesazhe urimi nga liderët botërorë

29/11/2022 14:18

Me rastin e Ditës së Flamurit dhe 110- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj mori mesazhe urimi nga shumë liderë dhe përfaqësues të vendeve të ndryshme të botës.

Në një telegram urimi Presidenti i Francës, Emmanuel Macron shprehet se çelja e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian përbën një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, që do të sjellë një zhvillim sa i përket çështjeve ekonomike, sociale dhe mjedisore, por në të njëjtën kohë edhe në funksionimin e institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës si dhe qeverisjes.

“Franca do të jetë gjithnjë në krahun tuaj për t’ju garantuar mbështetje lidhur me reformat e nevojshme për integrimin evropian”, theksohet në këtë mesazh.

Urimet e përzemërta Presidentit Begaj i ka shprehur dhe Presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella.

“Gjatë takimit tonë të fundit patëm rastin të forcojmë më tej marrëdhëniet e miqësisë dhe solidaritetit që lidhin Shqipërinë dhe Italinë. Kjo lidhje e veçantë gjen shprehje në një bashkëpunim gjithmonë e më të ngushtë në aspektin politik, ekonomik, shoqëror e kulturor. Vendet tona ndajnë të njëjtat vlera të demokracisë, paqes dhe solidaritetit. Çelja e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian përbën një hap të rëndësishëm përpara në rrugëtimin drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në familjen e përbashkët evropiane. Italia do të vijojë të mbështesë me bindje këtë proces si edhe të vendosë në dukje rezultatet e arritura nga Tirana, në kuadër të negociatave të anëtarësimit”, theksohet në mesazhin e Presidentit Mattarella.

Në mesazhin e tij me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanovic shprehet se:

“Ky vit është i një rëndësie të madhe për shtetet tona pasi ne festojmë 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Në frymën e miqësisë, kam besim se Kroacia dhe Shqipëria do të punojnë më tej për ta avancuar bashkëpunimin, duke përfshirë edhe atë ekonomik. Forcimi i stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore është një element thelbësor në marrëdhëniet tona”. 

Festën Kombëtare të Shqipërisë e ka përshëndetur dhe Presidentja e Republikës Helenike, Katerina Sakellaropoulou.

“Në një periudhë sfidash të shumëanshme, kur paqja dhe siguria po vihen në rrezik në nivel evropian dhe rajonal, Greqia po punon në mënyrë të qëndrueshme drejt forcimit të marrëdhënieve tona dypalëshe, bazuar në parimin e fqinjësisë së mirë. Në të njëjtën kohë, prania dinamike e pakicës kombëtare greke në Shqipëri, por edhe e komunitetit shqiptar në Greqi, kontribuojnë çdo ditë në afrimin kuptimplotë të dy popujve tanë. Ju keni mbështetjen e vendosur të vendit tim për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë drejt BE-së, i cili ka hyrë në një rrugë të re pas Konferencës Ndërqeveritare të korrikut të kaluar dhe nisjes së negociatave të anëtarësimit”. 

Në një mesazh urimi dërguar nga Presidenti i Republikës Çeke, Milos Zeman thuhet se miqësia mes dy vendeve do të vazhdojë të zhvillohet në interes të forcimit të bashkëpunimit tonë dypalësh.

Presidenti i Republikës së Polonisë, Andrzej Duda, në mesazhin e tij dërguar Presidentit Begaj, shpreh kënaqësinë për marrëdhëniet shumë të mira që lidhin dy vendet tona.

“Shpreh konsideratën për rolin pozitiv dhe stabilizues të vendit tuaj në rajonin e Ballkanit dhe ju siguroj për mbështetjen e vazhdueshme të Polonisë ndaj aspiratës shqiptare për integrimin evropian”, theksohet në këtë mesazh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA