Moderatorja e Top Story, Grida Duma mbajti një fjalim emocionues në hapjen e emisionit për 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Ajo tregoi një prej momenteve gjatë shëtitjes në Gjirokastër, ndërsa pa flamurin kuq e zi të valëvitej dhe e ndjeu ta nderonte.


Editoriali i plotë nga Grida Duma

28 nëntor , 110 vite më parë në 1912 u ngrit flamuri shqiptar,  110  vite më vonë, çfarë domethënie ka flamuri shqiptar,  në një botë shqiptare që thërret të hyjë në Europë, si ndjehet një 20 vjeçar me flamurin e vet, si ndjehet sot një shqiptar rreth të 50-ave që emigroi nga vendi i vet dhe e sheh atdheun nga larg, çfarë  ka sot me flamurin  kuq e zi një shqiptar i Kosovës që e ëndërroi ta kishte e sot ende bën kompromise me identitetin e vet ndoshta për të fituar zhvillimin e vet…

Si ndjehen me flamurin shqiptar ata mijëra që ndërruan emrin në këmbim të një pasaporte greke, apo sot edhe bullgare.

Pa u mbyllur vera gushtin që lamë pas … udhëtoja drejt jugut, diku afër Gjirokastrës në një peisazh vetëm natyrë pa shtëpia përreth u shfaq një flamur i ngritur mbi një shtizë të gjatë … ndër të paktat herë që shihja që flamur me të kuqen e plotë e me madhështinë e përmasës dhe vendosjen triumfuese në lartësi.

Instinktivisht  nderova me dorë flamurin…

Instinktivisht e kam nderuar me dorë flamurin kur e kam parë në kryeqytetet e botës atje ku ambasadat tona e  vendosin në ballkonet e tyre në qendra.

Instinktivisht jam revoltuar kur kam parë flamuj edhe ne ambasadat tona që nuk tregonin kujdes me prestigjin e flamurit, kur e shihja të kuqen e tij të irrnosur nga koha dhe që valëvitej si e lodhur…

Kur je jashtë Shqipërisë dhe sheh flamurin shqiptar që valëvitet kudo, në Amerikë mbi shtëpitë e shqiptarëve e sidomos në përfaqësitë e ambasadave duket se aty nuk je vetëm … në mes të botës së madhe s’je vetëm … një pjesë e jotja është aty dhe valëvitet pa harresë e përherë.

Ndokush mund të habitet për këtë nderim të thellë ndaj flamurit në kohë globale…

Por nuk është çështje atdhetarie as patriotizmi as modernizmi dhe apo tradicionalizmi…

Flamuri shqiptar, është identiteti i vetes,

Mund të lexojmë pa fund mund të hulumtojmë kudo … identiteti nga vijmë, kultura që rritemi, historia që na përcjell janë vetja jonë!!!

Nuk zgjodhëm të lindim a të jemi shqiptarë, ky është fati ynë historik…

Nuk zgjodhëm të lindim a rrjedhim nga ky vend që quhet Shqipëri dhe që i ka mbijetuar me gjithë  përpjekjet e veta, të ketë një gjuhë unike indoeuropiane, ti bëjë qëndresë pushtimeve e  fqinjësie të egra e t’ia dalë të mbijetojë me një identitet kaq të spikatur midis mesdhetarit,  ballkanasit,  europianit e orientalit… Mbijetoi dhe duhet të mrekullohemi me këtë.

Flamuri shqiptar është simbolika më e lartë e atdheut të vetes, është streha e identitetit që thërret me të kuqe e të zezë që të emocionon!!

Top Channel