Disa komuna në Kosovë po përballen ende me reduktime të ujit, si pasojë e vërshimeve të 20 nëntorit, që kanë shkaktuar turbullira në kanalin e ujit të ‘Ibër Lepencit’.
Kompania, Ujësjellësi Rajonal Prishtina, ka thënë se me reduktime po përballen komuna e Fushë Kosovës, lagjja Kalabria në Prishtinë, komuna e Drenasit dhe ajo e Obiliqit.
Zyrtarë të ndërmarrjes hidro-ekonomike ‘Ibër-Lepenci’, e cila furnizon me ujë të papërpunuar kompaninë, Ujësjellësi Rajonal Prishtina, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë duke punuar për të evituar problemin dhe se në ditët në vijim pritet të ketë rënie të turbullirave.
“Pasi kanali është i tipit të hapur, është vështirë që të mbrohet nga ndikimi i natyrës/të reshurave në sasi kaq të mëdha. Jemi të vetëdijshëm edhe për problemet që mund të ndodhin edhe tek ujësjellësi rajonal. Por, ju garantojmë që jemi në përpjekje maksimale që t’i zbusim këto ndikime”, ka thënë kompania në një përgjigje me shkrim.
Si pasojë e reshjeve të shiut janë dëmtuar shtëpi, biznese, kultura bujqësore dhe rrugë.
Istogu, Peja, Vushtrria dhe Juniku janë ndër komunat e prekura më së shumti nga vërshimet.
Institucionet komunale qysh nga 21 nëntori kanë nisur të bëjnë evidentimin e dëmeve dhe sanimin e tyre.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës ka njoftuar po ashtu se është duke bërë hartat e rrezikshmërisë nga përmbytjet dhe hartimin e planeve për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet dhe thatësira, në mënyrë që në situata të tilla të jetë më e përgatitur.
Ministria është zotuar se do t’i përmirësojë kapacitetet parandaluese dhe reaguese në situata të ngjashme.
Shirat e furishëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.
Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave.
Për përmbytje të mëdha është raportuar edhe në korrik të këtij viti në disa komuna të Kosovës, përfshirë Vushtrrinë, Gjilanin dhe Prishtinën./REL
Top Channel