HEC-et plot, KESH blen energji, Bozdo në Top Story: Kishin informacion për reshjet, kemi të bëjmë me korrupsion

21/11/2022 21:24

Ish-zv.ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo në një lidhje live për Top Story në Top Channel tha se KESH-I e ka parashikuar që do të kishte reshje të shumta në vend dhe sërish ka blerë energji.

“KESH-i i kishte të gjitha informacionet për të parashikuar intensitetin e reshjeve dhe vendndodhjen e reshjeve, ky ishte një tender që nuk duhet të ndodhte, ata kanë filluar shkarkimet në mënyrë të fshehtë, nga Komani, Vau i Dejës, edhe banorët nuk janë lajmëruar dhe dëmet i raportuat vetë. Shkarkimet janë për të ruajtur sigurinë e digave. Duhej të fillohej energji me sa të kishte mundësi, nga Komani dhe Vau I Dejës. Energjia është tek tenderi, ose do pranohet që kanë vendosur kunguj, ose do e pranojnë se është korrupsion. Dihej që nga data 19 deri 23 do binte ajo sasi, në vend që të stoponin dhe të konsumonin, KESH mund t’i parashikojë jo për një javë, por për dy javë reshjet, këtu kemi të bëjmë me korrupsion, edhe aplikacioni im që kam në telefon tregonte që do bëhej nami me shi. Ta fshehin të gjithë këtë,  fillojnë shkarkimet natën pa lajmëruar. Ose do thonë kemi vendosur ca kunguj që s’ia kanë idenë ose do pranojnë se ka korrupsion”, tha Bozdo.

Reshjet e dendura të shiut bënë që Korporata Elektroenergjetike të hapë kaskadën e Drinit një ditë më parë në pamundësi për të eksportuar energjinë, ndërsa vazhdonte me importin e saj me çmime të larta pavarësisht përmirësimit të situatës hidrike në vend.

Kjo, për shkak të kontratës së lidhur në fillim të javës, ku përmes saj, KESH bleu në import për datat 14-20 nëntor 42.5 mijë megavat për një çmim mesatar 228.3 euro/megavat, duke shpenzuar kështu 9.7 milionë euro.

Në përpjekje për të menaxhuar situatën, KESH tentoi t’ia shiste atë Kosovës e cila nga ana tjetër nuk pranoi të importojë dhe të fikë termocentralet e saj. Në kushte të tilla, ndërsa KESH zbatonte kontratën e importit, miliona euro shkonin dëm pasi hidrocentralet ndalën prodhimin ose punonin me kapacitet të përgjysmuar pasi nuk kishin ku të çonin energjinë.

Të paktën për rreth 14 orë të dielën Hecet nuk prodhuan, ose prodhuan me kapacitet të reduktuar duke bërë që humbjet të shtohen. Shqipëria konsumon mesatarisht në këtë periudhë rreh 18 mijë megavat orë energji në ditë. Për këtë periudhë nëse do të prodhohej energji normalisht sasia do të ishte rreth 10 500 megavat orë që nëse të prodhohej nga KESH, qeveria do kursente 2,3 milionë euro, te cilat u përdoren për të blerë energji nga importi.

Sikur të mos mjaftonte kjo, KESH shiti sot 8040 megavat energji me një çmim mesatar 80-100 euro/megavat, gati 3 herë me lirë se ajo që bleu pak ditë në bursa.

Top Channel