Këto janë pamjet që publikon Ministria  e Marinës detare nga operacioni i Rojës Detare greke që po zhvillohet prej orëve të para të mëngjesit për shpëtimin e emigrantëve në brigjet e ishullit Evias.

Operacioni ka nisur menjëherë pas informacioneve se një varkë me emigrantë që ishte nisur nga Izmiri u fundos në ngushticën e Kafireas.

Një anije e Rojës Bregdetare, një helikopter dhe dy mjete lundruese që operojnë në gjithë këtë zonë kanë arritur të shpëtojnë fillimisht nëntë persona, të cilët ndodheshin në ishullin shkëmbor Mandilou, ndërsa sipas deklaratave të tyre në bordin e varkës me vela ndodheshin 68 persona.

Operacioni i shpëtimit kryhet në kushte të vështira pasi në zonë fryjnë erëra nga veriu me shpejtësi gati 70km në orë dhe deti është mbi 8 ballë.Emigrantët e shpëtuar janë nga Afganistani, Egjipti dhe Irani.

Në të njëjtën kohë, operacion kërkim-shpëtimi vazhdon edhe në zonën detare të Samos ku një varkë është mbytur në brigjet pranë ishullit. Katër emigrantë  janë shpëtuar ,ndërsa 8 të tjerë konsiderohen të humbur.

Ne dy tragjedi detare në ishujt Lesvos dhe Kythira  në fillim të muajit tetor ,  me emigrantë që vinin  nga brigjet turke drejt atyre greke apo italiane, të paktën 20 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë konsiderohen të humbur.

Sa i përket situatës tragjike në Egje Athina zyrtare vazhdimisht akuzon Ankaranë se instrumentalizon emigracionin nga marsi i vitit 2020 për të ushtruar presion mbi Bashkimin Europian,ndërsa ka kërkuar bashkëpunim aktiv mes dy vendeve me ndihmën edhe të organeve europiane për të përballuar çështjen e migracionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA