Në studion e skulptorit Qazim Kërtusha/ 70-vjeçari ka ende plane për vepra të reja madhështore

29/10/2022 12:45

Në 70 vjet jetë, 50 ia ka dedikuar krijimtarisë, artit. Gjithçka për skulptorin Qazim Kërtusha nisi të marrë jetë në bankat e shkollës, atje ku gjatë mësimit, me majën e penës së bojës, nis të gdhendë në shkumësa figura si Skënderbeu, malësori, vajza me gërsheta.

Shkumësat e gdhendur mësuesja ia tregon të atit dhe ai menjëherë e dërgon në studion e skulptorit të njohur Sabri Tucci nga ku formësohet prirja e tij për artin e bukur, po të vështirë të skulpturës. Në mesin e viteve ‘70, Qazim Kërtusha diplomohet në Akademinë e Arteve të Bukura për skulpturë monumentale.

“Unë jam skulptor i dy sistemeve. Kam pasur fatin të mbaroj me një grup pedagogësh që sillte përvojat e shkollave të ndryshme, shkolla e Romës, ajo çeke, e Pragës, Petërburgut dhe shkolla shqiptare. Unë kam përfituar shumë nga pedagogët e mi, por edhe punë shumë”, tha skulptori.

Sot, skulpturat e tij i gjen jo vetëm në sheshe e parqe në Shqipëri dhe trojet shqiptare, por edhe në Europë. Në studion e tij gjallojnë shumë vepra, projekt ide që presin të hijeshojnë hapësirat urbane të qyteteve tona, siç është dhe kjo çadër kushtuar një kënge të hershme të muzikës së lehtë të titulluar “Djaloshi dhe shiu”.

“Një ftesë për të ftuar inxhinierët, arkitektët për ta bërë konkrete këtë vepër. Për ta ngritur në një rrethrrotullim e për t’u kthyer në simbol “Takimi te çadra.” Do të ishte shumë bukur sikur të realizohej ky motiv. Asgjë tjetër s’kërkoj”, u shpreh Kertusha.

Sipas Skulptorit të Popullit Kristaq Rama, Kërtusha nuk bën kompromis as me veten. Ai është dalluar për ndershmërinë dhe punën e palodhur ndaj të bëjë një bilanc të punës së vet nuk është e lehtë dhe as të veprojë në një treg të ashpër dhe pa rregulla.

“Janë me mijëra projekt ide. Është e vështirë të bësh art në një mentalitet të tillë. Dikush thotë dhe mbylle studion. Dikur kishim diktaturën, tani kemi diktaturën e tregut. Është shumë e vështirë sot të jesh artist”, tha ai.

Me një estetikë origjinale dhe tepër të ndjeshme ndaj asaj që ndodh në hapësirë dhe kohë, Kërtusha mbetet një ndër skulptorët më aktivë në Shqipëri dhe rajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA