Kategoria Superiore mbylli fazën e parë teksa statistikat e regjistruara në 45 ndeshjet e para të sezonit, zbulojnë edhe skuadrat të cilat janë “ndëshkuar” apo ato që kanë “përfituar” më shumë nga teknologjia VAR.
Në këtë statistikë, është Tirana ajo që e cila e ka pësuar në tre raste nga VAR-i duke qenë se janë tre vendimet që nuk i kanë shkuar përshtat bardhebluve. Ndërkohë, në dy raste teknologjia ka shkuar sipas “interesit” të kryeqytetasve.
Nga ana tjetër, Partizani ka një bilanc pozitiv kur vjen puna te vendimet e sistemit VAR teksa regjistron vetëm një episod kundër dhe tre në favor. Po ashtu edhe Erzeni që numëron dy episode në favor nga VAR-i dhe asnjë kundër.
Ndërkaq, sa i takon skuadrës më të ndëshkuar, ajo rezulton të jetë Egnatia. Rrogozhinasit janë ndëshkuar me 26 kartonë të verdhë ndërsa me karton të kuq, “kryesojnë” Tirana dhe Kukësi që janë ndëshkuar nga dy herë.
Sa i takon 11-metërshave, Partizani ka pasur dy në favor dhe i ka shënuar të dyja, ndërsa në një rast është marrë vendim kundër të kuqve.
Ndërkaq, bie në sy fakti që Tirana ka pasur tre penallti kundër me kundërshtarët që i kanë shfrytëzuar duke i ndëshkuar Kampionët në fuqi në të treja rastet. Sakaq, Kukësi nuk ka asnjë penallti në favor, por njëkohësisht edhe asnjë kundër.
Ndërkohë, Erzeni regjistron një bilanc pozitiv kur vjen puna te ndeshjet në të cilat nuk ka pësuar gol. Shijakasit nuk kanë pësuar në shtatë ndeshje ndërsa Tirana dhe Kukësi janë ato që në shtatë ndeshje ia kanë dalë të shënojnë. Më keq në këtë statistikë ka bërë Kastrioti që e ka gjetur rrugën e rrjetës në vetëm dy raste./ Super Sport
Top Channel