Ai është Michael Jackson, djali i çmimeve të panumërta si asnjë personazh tjetër në industrinë muzikore, personaliteti me ndikim të madh por me probleme edhe me te mëdha, me një fëmijëri nën tortura nga babai i tij, shumë barriera dhe fajësime gjatë hapave e ngjitjes në karrierë, problem të shëndetit mendor apo dhjetëra operacionet që ndryshuan njëherë e përgjithmonë aparencën e atij që ndryshoi mendësinë e botës në të krijuarit art.
Ardhur në jetë nga dy prindër të klasës punëtore, me ëndrra të thyera dhe pamundësinë për t’iu dhënë një jetë të mirë 10 fëmijëve të tyre, Michael, fëmija i 7-të në familje, përballej me dhunë dhe tortura të vazhdueshme nga babai i tij. Në vitin 1980, tashmë një artist solo i afirmuar me këngët dhe albumet e tij për nga aspekti i karrierës, Michael realizon një ndërhyrje plastike në fytyrë që ngjalli polemika të shumta lidhur me të pranuarit të tij si një amerikan me ngjyrë. Në një intervistë ai shprehet qartësisht që ishte krenar që është me ngjyrë dhe që kurrë s’do ta mohonte apo kishte problem faktin që është një amerikan me ngjyrë, por ky operacion erdhi si pasojë e një komplikacioni në lëkurën e tij.
Më pas erdhën të tjera operacione në imazhin e tij, por bashkë me to ishte dhe momenti i albumit “Thriller” në vitin 1982, album i cili arriti mbi 75 milion kopje të shitura duke e shndërruar në albumin më të shitur të të gjitha kohërave, ku edhe sot ai është një prej më të shiturve dhe mban mbi vete plot 7 Grammy. Në 1983 ai performoi “Moon Walk” ne “Billie Show”, lëvizjet e të cilit janë edhe sot të pakontestueshme. Me 13 Grammy, 26 American Music Awards, 40 Billbard dhe me mbi 700 çmime të fituara, e gjithë kjo famë, sukses, luks dhe para, nuk i rikthenin fëmijërinë e vjedhur Michael-it i cili përballej vazhdimisht me probleme të shëndetit mendor si pasojë e atij trajtimi dhe për të shëruar veten por edhe për t’u dhuruar fëmijëve atë që i kishte munguar, ai krijoi ‘Neverland’ në Kaliforni ku perveç argëtimit ai shpesh herë shkonte të luante me fëmijët.
Michael ndihej i vetmuar kështu që ai i kërkonte disa fëmijëve të flinin me të, por kjo i shkaktoi akuza të rënda për abuzim me ta, akuzë për të cilën edhe u dënua nga gjykata dhe pagoi një shumë të madhe parash. Dy martesa, dy divorce, 3 fëmijë, ku nena e fëmijës së tretë nuk u bë kurrë e njohur. Akuza të vazhdueshme dhe presioni i madh publik-mediatik e çuan Michael Jackson në një depresion të thellë ku i duhej të flinte nën efektin e ilaçeve.
Më 25 Qershor të 2009-ës, në moshën 50-vjeçare ai ndërroi jetë si pasojë e arrestit kardiak, shkaktuar nga mbidoza e propofol dhe benzodiazepinë dhënë nga mjeku dhe fizikanti i tij personal Conrad Murray, që i jepte kombinime të vazhdueshme medikamentesh që ai të flinte, por fatkeqësisht doza e 25 Qershorit rezultoi fatale.
Ai ishte gjeniu i papërsëritshëm i historisë së pop-it, djali i vogel dhuntia e të cilit e bëri njeriun më të adhuruar në botë, por t’i përkiste vetëm botës, e kurrë vetes. Michael konsiderohet një figurë tragjike, një figurë pas të cilit u afeksionuan gjenerata e miliona njerëz që më shumë se sa admirues e fansa ngjanin si dishepuj të një idhulli ku fati i te qenurit Michael Jackson i kushtoi vetë jetën. “Neverland” nuk ishte shtëpia e tij, por një ëndërr që mbarte ëndrra fëmijërie, fëmijëri të cilën Michael Jackson e kërkoi deri në frymën e fundit. Kjo pasi periudha më e çmuar e jetës iu vodh ndoshta me qëllim apo jo, por një gjë ështe e sigurt, një talent i atij kalibri i lindur e i perfeksionuar deri në të paimagjinueshmen njerëzore, i mori në këmbim vitet e dlirësisë të cilat Michael do të donte t’i kthente me çdo çmim. Nëse do më duhej ta përshkruaja me një fjalë, ajo do të ishte definitivisht ‘i trishtë’. Mund t’ja lexosh lehtë edhe në intervistat që pranon se është i lumtur me karrierën e arritjet, mund ta dallosh në sytë e tij, në zërin e brishtë që nuk dallon shumë nga ai i një fëmije, por padyshim edhe nga herët që ai e quan veten ‘i trishtuar’ me apo pa vetëdije.
I lindur më 29 gusht të 1958 në Gary Indiana të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai ishte fëmija i shtatë i Joe dhe Katherin Jackson. Babai i Michael punonte në ‘Inland Steel Company’ dhe bënte punë të vështira e të rrezikshme. Kështu mundësoi të blinte një shtëpi me 2 dhoma gjumi e ndërkohë e ëma i dha jetë 10 fëmijëve e rriti 9 prej tyre. Ata jetonin të gjithë në një dhomë dhe sigurisht ishin shumë të varfër.
Ata nuk luanin, nuk dilnin jashtë, nuk festonin ditëlindje, Krishtlindje apo asgjë tjetër. Por rrinin bashkë dhe këndonin. Mamaja e Michael ishte një grua shumë e fortë. Në Gaey Indiana kishte gara të shumta për talentet e rinj, por ishte shumë e vështirë të dalloje sepse konkurrenca ishte gjithashtu shumë e fortë e ti duhej të ishe performues, kërcimtar, këngëtar, çdo gjë në një.
Nisur nga ëndrra e parealizuara e babait të tyre për t’u bërë kitarist i madh, Joe Jackson krjoi ‘Jackson 5’ ku vëllezërit Jackson performonin teksa Michael ishte vetëm 5 vjeç dhe ishte performuesi më i mirë. Si fillim ata performonin vetëm për njerëzit me ngjyrë për shkak të diskriminimeve dhe luftërave të vazhdueshme ndërmjet të bardhëve dhe njerëzve me ngjyrë dhe mospranimië të tyre, por shpejt edhe të bardhët u dashuruan me grupin duke iu dhënë kështu një sukses të madh, gjë të cilën ata e përkthyen edhe në albume si p.sh. ‘’I want you back’’, “The love you save”, “ABC”. Grupi u bë shpejt i njohur dhe performancat e tyre me kërcim e këndim u shndërruan në një sukses të madh i cili po përkthehej edhe në të ardhura. Ata praktikoheshin pafund nën tutelën e menaxherit dhe babait të tyre.
Joe ishte më shumë se i vendosur që t’i nxirrrte fëmijët e tij nga varfëria e për të kjo do të justifikonte edhe sjelljet më abuzive ndaj Michael-it kur ai ishte vetëm 6 vjeç. Pas asaj buzëqeshjeje të pastër në skenë, Michael jetonte nën terrorin e dhunës së të atit. U deshën 40 vite që ai të pranonte hapur të vërtetën e madhe për gjithë dhunën dhe torturat që Joe kishte ushtruar mbi të.
Ai e humbte toruan. Unë mbaj mend mamanë time teksa ulëriste duke thënë: “Të lutem, sepse do e vrasësh, do e vrasësh, do e vrasësh, të lutem ndalo.” Unë vrapoja aq shpejt sa ai mbase s’më kapte dot, por kur më kapte, Zot ishte keq, shumë keq.
Houard Bloom publicist shprehet:
Herën e parë që e kam takuar Joe, e kisha në një distancë, por betohem që arrija të dalloja flakët e ferrit në sytë e atij njeriu.
Të paktën në Shqipëri vetëm kohët e fundit me zhvillimin teknologjik po i jepet mundësia e të kuptuarit që dhuna, veçanërisht ajo ndaj fëmijëve, nuk është mjet edukimi por degradimi dhe traumash të cilat shumë fëmijë i marrin me vete në çdo etapë të jetës e deri në plakje, duke shënjuar kështu vetë jetën e tyre, e jo më kot e themi këtë duke qenë se mënyra e rritjes, edukimit dhe të punuarit të Michael Jackson e bëri atë të mos shërohej kurrë nga traumat e fëmijërisë.
Goditjet, izolimi dhe puna e jashtëzakonshme e shndërroi fëmijërinë e Michael në një burg. Ai nuk arriti ta falte kurrë plotësisht babain e tij duke qenë se edhe në testament i ati nuk përmendet askund. Ai i la çdo gjë nënës së tij dhe 3 fëmijëve. Edhe pse koha i mundësoi arratinë graduale nga babai i tij, ai kurrë nuk u arratis dot nga fëmijëria e tij. Edhe pse në të 40-at ai e cilësonte gjithmonë veten si artistin e vetmuar e të izoluar dhe shpesh të pamatur, duke kërkuar kështu që publiku mos ta gjykonte. Edhe si i rritur ai s’do të rritej kurrë duke dashur kështu ta rrethojë veten me fëmijë e duke dëshiruar të kurojë plagët e fëmijës brenda tij.
Në moshën 6-vjeçare ai filloi turnetë dhe ky ishte momenti që e shkëputi atë nga jeta e zakonshme. Njëra nga mësueset kishte thënë që ai ishte larguar për 1 javë, e kur ishte kthyer kishte kërkuar falje për largimin. E ndërkohë kishte dhënë disa shfaqje në New York, që ishte me të vërtetë e paimagjinueshme.
Ai mësonte në mënyrë të shkëlqyer lëvizje performance dhe si të bënte për vete një audiencë duke mësuar nga më të mirët, më të mëdhenj se ai, artistë që kishin bërë historinë. Ndonëse skena kishte vezullimin e saj, jeta përtej ishte e vështirë dhe as që mund të mendohej që një art i bukur i argëtimit mund të prodhohej nën frikëra të mëdha të menaxhimit agresiv dhe të frikshëm të Joe Jackson. Ishte një periudhë e vështirë për njerëzit me ngjyrë të cilët kishin një luftë të madhe me diskriminimet racore.
Në një moshë shumë të vogël ai ishte i ekspozuar ndaj seksualitetit dhe seksit, gjë që e bëri Michael Jackson mos të sillej e mendonte kurrë në mënyrë normale për raportin seksual. Gjatë një turneu në New York ai ndante krevatin me vëllain e tij më të madh e në të njëjtën godinë ishin dhe disa vajza të cilat punonin për argëtim.
Në një turne unë e ndaja krevatin me vëllain tim dhe çdo natë aty vinin vajza. Unë i dëgjoja sepse ato vinin çdo natë dhe në njërën nga netët, vëllai im më tha: “Çfarëdo të ndodhë, ti mos i hap sytë”. Dhe unë i premtova. Ato erdhën, hapën derën dhe pyetën vëllain tim: “Michael-i i vogël është ai? Oh, sa i këndshëm që është”. Dhe unë dëgjoja çdo gjë, çdo gjë.
Në 1967, Jackson 5 fituan një dhuratë prej 500 dollarësh. Joe hoqi dorë nga puna e tij ndërkohë Jackson 5 firmosën kontratën e tyre të parë me ‘’Steel Toë Records” dhe single-i I parë ishte “Big Boy” teksa Michael ishte 9 vjeç. E teksa suksesi vazhdoi të rritej, ata firmosën një kontratë shumë të rëndësishme që do t’i jepte një tjetër kthesë karrierës dhe famës së Jackson 5. Në moshën 18-vjeçare, Michael u nda nga grupi për t’u bërë pjesë e një tjetër kompanie regjistrimesh, ndonëse kjo në fillim nuk u prit aspak mirë nga vëllezërit e tij të cilët nuk e prisnin këtë të ashtuquajtur tradhti sipas tyre. Shkëputja nga Jackson 5, i dha mundësinë e krijimit të hiteve të tij të para si artist solo.
Edhe pse tashmë ai ishte realizues i suksesve, ai ishte si një fëmijë. Nëse merrrte një kuti do ta hapte atë në mënyrë që do të rrëzohej çdo gjë jashtë saj dhe kjo mund të pritej nga një fëmijë 4 vjeç. Pas një ftese për një rol në Neë York ai la familjen e tij në Los Angelos, gjë e cila nuk u prit aspak mirë prej tyre. Joe e ndjeu kërcenimin duke i treguar që ata ishin një familje e duhet të përfundonin si të tillë. Përgjatë xhirimeve ai takoi producentin Quinsi Jonas, i cili do të jepte një tjetër kthesë në karrierën e Michael. Kimia e tyre ishte e menjëhershme. Rob Cohen, producenti ekzekutiv i shtëpisë diskografike shprehej:
Mund të shihja në sytë e Quins, ishte e njëjta mënyrë si një leopard sheh një dhi të vogël.
Në periudhën e xhirimeve ai jetonte në një apartament i vetëm pranë Central Park në Neë York, e në njërën nga netët një nga producentët dhe miqtë e tij, Rob Cohen, i sugjeroi të shkonin në një club të famshëm. Fama e Michael tashmë ishte e pashmangshme, por ai kishte shumë probleme me marrëdhëniet. Edhe pse mund të kishte cilëndo femër që mund të pëlqente, ai ishte vërtet i tërhequr dhe shumë i frikësuar në këto raporte ndonëse nuk jetonte më me Joe. Tatatom Onil ishte e dashura e vetme e kësaj kohe e Michael, e cila e përshkruan raportin si një shoqëri të shkëlqyer. Ai kishte probleme të mëdha në përballjen e lirisë së tij dhe çlirimin nga prangat e babait që dukshëm do ta shoqëronin deri në përpjekjet e fundit për arrati. Ai kishte pasiguri të mëdha, ishte i turpshëm dhe nuk mund të ndjente dëshirën dhe entuziazmin që mund të ndjente çdo mashkull që mund të ishte në vend të tij apo edhe që shoqërohej me të për sa i përket çështjeve të dashurisë e nga ana tjetër një gjë mund të ndihej, aroma e fortë e suksesit të Michael i cili tashmë për herë të parë po fokusohej bindshëm me një tjetër aspekt të suksesit të tij, atë të prodhimit vetë të muzikës që donte të sillte për publikun.
“Shake your body” ishte kënga e parë realizuar totalisht nga Michael që deri në ato momente nuk kishte shkruar asnjë material muzikor. Tashmë rruga për të krijuar vetë suksesin e tij si artist solo ishte determinuese, por gjatë regjistrimeve për albumin e tij të parë “Destiny”, ajo që nuk mund të evitohej ishin sjelljet e çuditshme të tij. Për shembull, hidhte kufjet në tokë dhe largohej me vrap duke kërcyer dhe kjo ishte hera e parë që ai, ndoshta nën euforinë e momentit, pranoi se këtë gjë e kishte mësuar kur vraponte nga babai i tij. Quincy Jones ishte çdo gjë që kishte munguar tek një mentor për Michael. Ai ishte bashkëpunues, motivues, kreativ. “Off The Wall”, albumi i 5-të i Michael realizuar më 10 gusht të 1979, i pari në bashkëpunim me Quincy Jones, siguroi mbi 20 milion kopje të shitura dhe miliona dollarë.
Në Grammys të 1980 “Off The Wall” ishte e nominuar vetëm dy herë, e kjo për shkak se lufta racore ishte ende një problem shumë i madh në karrierën e shumë artistëve, por absolutisht edhe te Michael i cili e vuante shumë këtë diskriminim. Ai mori vetëm një çmim në ‘American Music Awards’ si “Favorite RnB Soul Album” por humbja në Grammys ishte një moment që e groposi Michael emocionalisht dhe shpirtërisht, duke e kthyer dhe një herë në shtëpinë e tij, ku për ditë të tëra ai nuk lëvizi nga krevati, tejet i pikëlluar. Thonë se jetën ta shënjojnë momentet dhe ndonjëherë vendimet e mëdha që mund të marrësh nën presionin e tyre. Por ishte një moment, vetëm një moment kur mendja e tij vendosi që do të shokonte botën duke marrë kështu hak për fëmijërinë e vjedhur, brutalitetin e babait të tij dhe, t’i dëshmonte Grammys që edhe sot që flasim asnjë artist tjetër të mos rrëmbejë kurorën e tij e rrethuar me plot 13 Grammys. Kjo kthesë që do t’i jepte suksesin e botës, do të ishte po ajo që do ta shkatërronte.
Në 1982 Michael Jackson donte të krijonte një album në të cilin çdo këngë të ishte një ‘killer’. “Billie Jean”, kënga e dytë nga albumi “Thriller”, këngë në të cilën detaje të kërcimit apo dhe vetë fabula e këngës janë dëshmi të mëdha për Michael dhe mënyrën si ai ëndërronte e jetonte. Kënga flet për një fanse të fiksuar pas tij dhe që pretendon se ka një fëmijë me të.
Do të ishte performanca e “Billie Jean” dhe kërcimi “Moon Walk” që do të ngjallnin një reagim surreal në audiencë. Por edhe pas atij suksesi dhe ‘feedback’ të pakontestueshëm, Michael do të vuante sërish nga imperfeksione që vetëm ai mund t’i shihte, të fiksohej në to dhe të gjente me patjetër një formë perfeksionimi të tyre. “Thriller” po dukej paksa i hijëzuar, kështu që ai krijoi idenë e videoklipeve të cilat kishin në kontent demonë apo figura mistike e të ndaluara nga feja, ku mamaja e tij e kishte rritur me një frymë të madhe të dashurisë fetare e kjo nuk dukej aspak një rastësi. Biseda me nënën e tij dhe një herë e impaktoi aq shumë, saqë ai donte të fshinte çdo pjesëz nga materiali filmik i videos duke u ndierë fajtor, dhunues i besimit dhe lëndues, por producenti i tij, bashkëudhëtari dhe firma e suksesit, Quincy Jones edhe një herë tjetër dha zgjidhje e nuk e lejoi një gjë të tillë të ndodhte. Ai e zgjidhi fare mirë me një shënim në fillim të videos teksa vetë Michael Jackson tregonte për përmbajtjen me asnjë nënkuptim fetar apo cënues të videos. Dhe kaq ishte, “Thriller” pushtoi klasifikimet botërore por jo vetëm.
Ai rezultoi të ishte vërtet një demon i dështimit apo monotonisë së pop-it deri në atë moment, duke standartizuar muzikën e duke piedestalizuar një ikonë që po marroste botën nëpër koncerte, ture e numra shitjesh. Shpagimi i vërtetë ndodhi në Grammys 1984. Ai fitoi 8 çmime përfshirë edhe albumin e vitit dhe nuk dinte as çfarë të thoshte më, por vetëm “Faleminderit, ju dua shumë”. Ai u bë artisti më i suksesshëm dhe me më shumë të ardhura se çdo artist tjetër që nga koha e Elvis Presly-t, por siç shprehet dhe Susan Blond, personalitet në marrëdhëniet me publikun:
Ai ishte publik 24 orë, nuk mendoj që ekzistonte një njeri i brendshëm në të.
Më 27 Janar 1984 në realizimin e dytë të fushatës së Pepsit përgjatë performancës në xhirime, Michael-it i ndodh një aksident duke i marrë koka flakë, gjë të cilën ai nuk po e kuptonte dhe po tentonte të hiqte xhaketën. Edhe pse ndihma ishte e menjëhershme, Michael pësoi djegie të forta duke iu nënshtruar kështu shumë operacioneve plastike, të cilat më pas do të humbnin edhe numërimin në fytyrën e tij. Edhe përgjatë rrugës në spital me emergjencë, mendja e tij ishte në imazhin e tij, ai kërkonte vazhdimisht dorashkën ikonike që e shndërronte atë ne imazhin e konsumit të publikut botëror.
Për t’i shpëtuar dhimbjeve të forta, atij i duheshin domosdoshmërisht pilulat e qetësimit, marrëdhënie e cila e pati aty pikënisjen për të mos u ndalur më kurrë. Në harkun kohor të 6 viteve të ardhshme, kirugjia plastike ndryshoi aq shumë jetën dhe dukjen e Michael, i cili po përpiqej të krijonte me anë të imazhit atë që ai kishte në kokën e tij se çfarë ishte dhe çfarë donte të mbetej përgjithmonë.
Intervistuesi: Ti identifikohesh me të?
Michael: Totalisht!
Intervistuesi:Ti nuk do të rritesh?
Michael: Jo, unë jam Piter Pani!
Në intervistën legjendare me Oprah Winfrey në 1993 në shtëpinë e tij, një nga pyetjet me interesin më të madh ishte ajo për operacionet plastike. Michael mohon të ketë kryer më shumë se 2 ndërhyrje dhe këtë e lidh me nje problem të lëkurës dhe e justifikon se e gjithë industria po e bën këtë.
Unë jam një amerikan me ngjyrë dhe jam shumë krenar për këtë, s’e kam mohuar kurrë se kush jam dhe çfarë jam. Jam krenar për atë që jam dhe racën time…
Shprehet ai teksa është pyetur për një lajm që qarkullonte asokohe në të cilin thuhej se Michael kishte kërkuar që rolin e tij si djalë i vogël ta luante një djalë i bardhë në një fushatë promocionale për Pepsin. Në adoleshenë gjithashtu ai ka vuajtur gjithmonë talljet e babait të tij për mënyrën si dukej, e veçanërisht hunda e tij. Sigurisht kjo është një arsye e fortë që ai u tjetërsua në imazh duke dashur të shihte atë që ai ëndërronte, pa asnjë defekt.
Në moshën 30-vjeçare ai jetonte ende me familjen Jackson në një pronë të madhe, por ishte koha që të krijonte familjen e tij. Kështu që ai u zhvendos në Los Angelos, në një hapësirë gjigante të cilën e quajti “Neverland”, shtëpinë e homazheve dhe dedikimeve të Piter Pan, djalit që nuk u rrit kurrë. Ai po krijonte botën e tij. Kishte një shimpaze si kafshën dhe mikun e tij të çuditshëm, të quajtur Bubble, por përpos tij dhe një kopsht zoologjik, kinema, pishina, lodra të panumërta dhe çdo gjë që mund të ëndërronte në fëmijërinë e tij të mbytur nga dhuna, puna dhe keqtrajtimet e të atit.
Ai e përshkruan veten si njeriun më të vetmuar në planet, kështu që ai ftoi fëmijë me pamundësi ekonomike, të sëmurë dhe që dëshironin aq shumë së bashku me familjet e tyre të vinin të jetonin në “Neverland”. Michael realizonte ‘sleepovers’ me fëmijë, kështu nuk do të ndihej i vetmuar duke kujtuar kohët që flinte me vëllezërit e tij të gjithë në një dhomë. Por tashmë ai ishte në një kohë ku kishte shkëputur marrëdhëniet me babain e tij, i cili edhe nëse kishte qenë brutal me të, e kishte ndaluar të kryente veprime të pamenduara mirë, e as me Quincy Jones që të paktën ta orientonte drejt zgjedhjeve të duhura.
Në 1993, Evan Chandler, dentist dhe skenarist, e akuzoi këngëtarin amerikan se ai kishte abuzuar seksualisht me djalin e tij, Jordan Chandler, 13 vjeç. Ai donte ta zgjidhte me një shumeë parash këtë konflikt me Jackson, por nuk u dakordësuan për shumeë. Kështu që në korrik të atij viti, Jordan dëshmoi në polici dhe para një psikoterapisti qe ai ishte abuzuar sksualisht nga Michael. Çështja vazhdoi në gjykatë dhe u mbyll me një shifër e cila pati dyshime të mëdha, duke qenë se u kërkua si fillim nga familja e Jordan në vlerën prej 25 milion dollarë e më pas 18. Por një gjë është e sigurt, vlera ishte mbi 1 milion dollarë. Evan Chandler vrau veten pak kohë pasi Michael Jackson vdiq si shkak i fajësisë së tij dhe barrës së mashtrimit përkundrejt një figure si ai. Të paktën kështu është deklaruar.
Dashuria ndaj femrave dhe raportet me to nuk ishin pika më e fortë e Michael, por për disa kohë ai takoi Marie Presley. Kjo ishte hera e parë mbase që ai gjeti një të dashur dhe një njeri që do të kuptonte stilin e tij të jetës. Lisa Marie është vajza e Elvis Presley-t dhe ishte rritur me të njëjtën vëmendje dhe mënyrë jetese si ai në aspekt fame. Çështja me fëmijët filloi të merrte një zjarr i cili me flakët aq shpejt të përhapura, dogji deri në fund madhështinë e karrierës, shpirtit dhe jetën e vetë të pakrahasueshmit Michael Jackson.
Për çështjen me fëmijët u bë kryefjala e mediave botërore dhe arsyeja që Michael Jackson shkoi në gjykatë, përjetoi edhe një herë frikëra të mëdha si në fëmijërinë e tij, teksa hetimet kishin të nevojshme për material prove, fotografi të organit të tij gjenital për të përcaktuar nëse realisht ai kishte prekur apo cënuar 13-vjeçarin. Ku sipas familjarëve të tij kjo kishte ndodhur.
Përgjatë gjithë kësaj kohe partnerja e tij Lisa Maria Presley i qëndroi pranë. Pas pak kohësh ata u martuan dhe puthja e tyre e vetme publike ishte një zhurmë e madhe të cilën Michael nuk e përjetoi mirë duke e konsideruar veten të përdorur. Shumë vite më vonë, pas vitesh të ndarë në një intervistë ekskluzive për Oprah Winfrey e pyetur nëse ata kishin patur një raport të vërtetë dashuror, pra me marrëdhënie intime. Ajo e pohoi një raport të tillë ndonëse përgjigjja linte shumë hapësira për aludim. Ndarja e tyre erdhi si pasojë e takimeve të fshehta që Michael kishte sërish me fëmijë apo pushimeve me dy prej tyre. E padyshim kjo ishte e patolerueshme për raportin dashuror sepse ai nuk do arrinte ta donte kurë aq sa fëmijët që e rrethonin. Edhe një herë tjetër dëshpërimisht Michael mbeti vetëm, i trishtë. Një infermiere me të cilën ai ishte sjellë shumë miqësisht, Debbie Rowe, i dha një ofertë të cilën ai nuk e refuzoi, ta bënte prind. Ata u martuan dhe sollën në jetë 2 fëmijë, Prince dhe Paris Jackson me nënë surrogate.
Në vitin 1999 ata u ndanë. Michael u bë me një tjetër fëmijë, Prince Michael Jackson i dytë, nëna e të cilit nuk u bë kurrë e njohur. Në një intervistë ai është shprehur që kushtet e vetme që kishte për nënën surrogate ishte që ajo të ishte e shëndetshme dhe inteligjente. Daljet publike me fëmijët e tij ishin të mbrojtura duke ruajtur totalisht të fshehtë identitetin e tyre nëpërmjet maskave. Ai kishte mjaft kohë për t’jua dedikuar fëmijëve duke qenë se ishte në vitin e tij të 9-të pa një turne dhe në të 12-in pa sjellë një album të ri. Mediat e kishin në mënyrë të vazhdueshme në qendër të tyre me lajme herë të vërteta, herë gjykuese e herë lënduese. Të paktën kështu shprehet Jackson pothuajse në çdo herë që ka folur për to. Një tjetër veprim që u gjykua dhe u komentua pafund si pamaturi nga ana e tij, ishte momenti kur nga dhoma e një hoteli mijëra fansa dëshironin ta shihnin atë së bashku me të voglin e tij Prince Michael Jackson dhe ai del në ballkon. Por mënyra si e mban beben në duart e tij aq pranë ballkonit që rrezikonte rënien qarkulloi dhe një herë idenë që vetë Michael Jackson kishte nevojë për një prind.
Realizuesi i 10 albumeve ku ndër ta legjendarët “Thriller”, “Bad”, “Dangerious”, “This Is It”, “One Night In Japan”, e përmbajtes të hiteve të pakthyeshme dhe të çdo kohe si “Beat It”, “Remember The Time” me Edi Murphy. “Dirty Diana”, kënga e preferuar e princeshë Diana-s, të cilën ia kërkoi personalisht dhe në koncertin e tij në Wembley teksa folën e u përqafuan si miq që vërtet ishin dhe ndanin telefonata të shumta me njëri-tjetrin kohë pas kohe. “They Don’t Care About Us”, “Billie Jean”, “The Way U Make Me Feel” apo dhjetëra të tjera të cilat e bënë fituesin e miliarda zemrave, 26 American Music Awards, 40 Billboard Music Awards, 13 Grammy, 6 Brit Awards, 20 rekorde Guiness, “A Point Of Light”, çmim nga Presidenti Bush e qindra miliona të kopjeve të albumeve të shitura.
Me një shpirt që nuk u rrit kurrë e nuk e pranoi kurrë peshën e të qenurit i pjekur mbi supe, i frikësuar nga qentë, i dashuruar me Elisabeth Taylor e cila i dhuroi dhe një elefant që e quajti Gipsy, sepse ishte veshur si cigan, e ai i dhuroi një portret gjigant shkëputur në një nga filmat e saj. Ndoshta shumë prej nesh do ëndërronim të mos shkonim në supermarket por jo Michael Jackson. Për herë të parë në 30 vite ai me ndihmën e mikut të tij, krijoi kushtet të bënte ‘shopping’ në një supermarket si njeri normal, të shkonte në Disneyland i maskuar, apo në Meksikë dhe të xhironte. Ai i urrente turnetë por dashuronte fansat e tij, mamanë e tij, gjithashtu që në një koncert në Copenhagen ku ishin më shumë se 250 mijë njerëz i tha Michael-it me lot në sy që kurrë nuk e kishte imagjinuar kur e mbante në krah të vogël që bota do ta donte aq shumë. Inovator dhe perfeksionist, gjigant dhe shumë i vogël, ‘thriller’ por i trishtë.
Miliona dollarë të investuara në bamirësi, të tjera gjyqe për të tjera akuza të cilat ndiqnin njera-tjetrën dhe një gjykim publik masiv për pedofili, vazhdonin të rëndonin jo vetëm në imazhin publik të ikonës botërore të pop-it por më shumë në brendinë e tij ku çdo ditë e më shumë forcat po e linin e dukej se zgjidhja e vetme ishin pilulat e forta kundra dhimbjeve e mungesës së gjumit. Ai ishte i vetmi shpëtim për Michael, e vetmja mënyrë e shkëputjes nga realiteti, realitet që po e shuante dalëngadalë madhështinë e një artisti i cili mbase kishte harruar çfarë do të thotë të jetosh si njeri.
Më 25 Qershor të 2009-ës në moshën 50-vjeçare ai ndërroi jetë si pasojë e arrestit kardiak, shkaktuar nga mbidoza e propofol dhe benzodiazepinë dhënë nga mjeku dhe fizikanti i tij personal Conrad Murray, që i jepte kombinime të vazhdueshme medikamentesh që ai të flinte. Por fatkeqësisht doza e 25 Qershorit rezultoi fatale. Bota humbi fizikisht mundësinë për të parë e prekur nga afër koncertet e një gjeniu, e një mekanizmi robotik që prodhonte lëvizje e emocione, që bënte qindra njerëz të qanin, të humbnin ndjenjat e të afeksionoheshin pas tij sikur historia nuk do njihte një të dytë. Por arti i tij do të jetojë në çdo kohë, në çdo gjeneratë dhe në genet që la pas përpos muzikës, në çdo vend që ka prekur, në çdo notë që ka luajtur. Sepse ti vdes vetem kur nuk të kujton askush edhe në qofsh i gjallë, por Michael Jackson jeton në dimensionet e botës së tij që ja dhuroi botës tonë./ Top Albania Radio