FOTO/ Cindy Crawford shfaqet për herë të parë që pas vdekjes së djalit të saj 27-vjeçar

22/09/2026 10:23

Cindy Crawford dhe bashkëshorti i saj, Rande Gerber, janë parë për herë të parë në publik pas vdekjes tragjike të djalit të tyre 27-vjeçar, Presley Gerber.

Çifti u fotografua të hënën teksa largohej nga shtëpia e të birit në Hollywood, ndërsa familja po përballet me një nga momentet më të dhimbshme të jetës së saj.

Crawford, 60 vjeç, qëndroi në sediljen e pasagjerit të një Range Rover-i të zi dhe u përpoq të fshihte fytyrën pas syzeve të errëta dhe një kapeleje, ndërsa Rande Gerber drejtonte automjetin.

Kujtojmë se Presley Gerber u gjet pa ndjenja të dielën në mëngjes në një qendër rehabilitimi në Santa Monica, Kaliforni. Sipas burimeve të cituara nga mediat amerikane, policia dhe ekipet e emergjencës ndërhynë dhe kryen përpjekje për ta shpëtuar, por 27-vjeçari u shpall i vdekur në vendngjarje.

Autoritetet po e hetojnë vdekjen si një mbidozë të dyshuar, ndërsa deri tani nuk raportohet për shenja të ndërhyrjes së një personi tjetër. Detajet përfundimtare pritet të përcaktohen nga hetimi dhe ekzaminimet mjekoligjore.

Sipas raportimeve të “Page Six”, në komunikimet e urgjencës u përmendën termat “arrest kardiak” dhe “mbidozë”.

“Familja po kërkon privatësi gjatë kësaj kohe jashtëzakonisht të vështirë dhe të dhimbshme”, njoftoi familja Crawford-Gerber.

Presley, djali i vetëm i Cindy Crawford dhe Rande Gerber, kishte folur publikisht ndër vite për betejën e tij me varësinë dhe shëndetin mendor. Ai kishte ndarë gjithashtu me ndjekësit përvojat e tij gjatë përpjekjeve për t’u rikuperuar, përfshirë edhe trajtime me substanca psikedelike.

Vetëm pak javë para vdekjes, Presley publikoi në rrjetet sociale një mesazh për rrugëtimin e tij personal drejt rikuperimit. Nëna e tij, Cindy Crawford, e kishte mbështetur publikisht, duke komentuar se ishte “luftëtar” dhe se ndihej krenare për të.

Edhe motra e tij, modelja dhe aktorja Kaia Gerber, kishte shprehur publikisht krenarinë për vëllain.

Në korrik, Crawford i kushtoi djalit të saj një urim emocional për ditëlindje, duke shkruar se ishte krenare për burrin që ai ishte bërë, ndërsa për të do të mbetej gjithmonë “djali i saj i vogël”.

Top Channel