32-vjeçari Lear Kurti është shoqëruar në mënyrë të padrejtë nga policia, që është bazuar vetëm në dyshime dhe kur është ndjerë keq duhet të dërgohej menjëherë në spital dhe jo në Komisariat.
Është ky qëndrimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkut, për rastin e të riut që ndërroi jetë në duart e policisë dy netë më parë.
Shoqërimi i një personi nuk bëhet duke u mbështetur vetëm në dyshime, shkruhet më tej. Sipas dispozitës, dyshimet duhet të jenë të arsyeshme, për kryerjen e një krimi, për të parandaluar kryerjen e një vepre penale, ose për identifikimin e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime. Në këto rrethana, punonjësit e Policisë kanë vepruar në kundërshtim me nenin 27 të Kushtetutës dhe nenit 5 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që parashikojnë rastet kur mund të kufizohet liria e personit.
Komiteti Shqiptar i Helsinkut i referohet raportit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, se gjendja jo e mirë shëndetësore e Laerit, por është dërguar më parë në komisariat.
Ky veprim, thotë KSHH, është në kundërshtim me ligjin “Për Policinë e Shtetit”, pasi efektivët duhët të transportonin menjëherë dhe në mënyrë urgjente Laerin në spital, dhe jo ta çonin në ambientet e Komisariatit.
“Grupi i monitorimit të KSHH-së kërkoi të njihej me regjistrat ku duhet të pasqyrohen rastet e shoqërimit. Nën argumentimin se dokumentacioni është sekuestruar nga ana e punonjësve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vëzhguesve të KShH-së nuk i është vënë në dispozicion asnjë akt tjetër ligjor përveç Regjistrit të Evidentimit të të Dhënave për Personat e Shoqëruar, Regjistrin e Hyrje-Daljeve dhe Librin e Dinamikës. Gjatë kqyrjes së dokumentacionit të sipër përmendur, rezultoi i munguar dokumentimi i të dhënave dhe gjeneraliteteve të shtetasit L.K, për kohën hyrjes dhe qëndrimit të tij tij në Komisariat, cilësinë dhe shkaqet ligjore të kufizimit të tij të lirisë.
Sipas përfaqësuesve të Komisariatit, mos regjistrimi në rastin e shtetasit L.K., ka ardhur si pasojë e gjendjes jo të mirë të personit “të shoqëruar”. Megjithë këtë, KSHH mendon se në këtë rast do të duhej të mbahej një procesverbal ku të pasqyroheshin këto rrethana. Aq më tepër, kjo në situatën kur vëzhguesit e KShH-së kanë qenë në ambientet e këtij Komisariati afro 14 orë pasi ngjarja kishte ndodhur.
Gjithashtu, duke iu referuar nenit 109 të ligjit të sipërcituar, rezulton se punonjësit e Policisë kanë vepruar në kundërshtim me dispozitën e mësipërme, sepse nuk mund të bëhet shoqërimi i një personi duke u mbështetur vetëm në dyshime. Sipas dispozitës së cituar, dyshimet duhet të jenë të arsyeshme, për kryerjen e një krimi, për të parandaluar kryerjen e një vepre penale, ose për identifikimin e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime (pikat ‘c’, ‘ç’ dhe ‘dh’).
KSHH e sheh të nevojshme të përmendë se në rastin konkret, nuk ndodhemi as para shoqërimit, ndalimit dhe as para arrestimit në flagrancë, që parashikon Kodi i Procedurës Penale. Në këto rrethana, punonjësit e Policisë kanë vepruar në kundërshtim me nenin 27 të Kushtetutës dhe nenit 5 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që parashikojnë rastet kur mund të kufizohet liria e personit.
Nga të dhënat e verifikuara nga Raporti i shërbimit, i hartuar nga salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ka rezultuar se gjendja jo e mirë shëndetësore e shtetasit L.K. është konstatuar nga forcat e rendit në orën 23:34. Duke patur parasysh sa më sipër, punonjësit e Policisë do të duhej të zbatonin në mënyrë strikte nenin 17 pika “a” dhe nenit 89 pika “c” të Ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, duke transportuar menjëherë dhe në mënyrë urgjente shtetasin L.K. në spital, dhe jo ta çonin në ambientet e Komisariatit.
Duke mbajtur në konsideratë natyrën e çështjes, në raste të tilla është organi i Prokurorisë që duhet të hetojë më tej për ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga forcat e policisë, shkakun e vdekjes së viktimës dhe nëse kjo ngjarje mund të parandalohej, në kushtet e veprimeve apo mosveprimeve që përfaqësuesit e rendit publik kishin si detyrim të kryenin.
Kurdo që një i ndaluar vdes në rrethana të dyshimta, neni 2 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut i kërkon autoriteteve të kryejnë një hetim të pavarur dhe të paanshëm zyrtar, i cili përmbush standarde minimale të caktuara për efikasitetin (shih Trubnikov kundër Rusisë, nr. 49790/99, §§ 87-88, 5 korrik 2005)”.
Si humbi jetën Lear Kurti?
Mbrëmjen e të mërkurës rreth orës 23:00, Lear Kurti ka qenë duke lëvizur në këmbë në rrugën “Riza Çuka” kur një patrullë e komisariatit nr 3 i ka kërkuar të ndalonte por 32 vjeçari nuk iu bind duke u larguar me vrap. Pas një arratie rreth 400 metrash i riu u kap nga policia në rrugën “Don Bosko”. Në njoftimin paraprak Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se gjatë shoqërimit 32- vjeçari ka shfaqur problem shëndetësore dhe është kërkuar ndihma e urgjencës. Burime nga uniformat blu thanë se I riu ka pasur dridhje trupi dhe të vjella Duke qenë se gjendja e të riut po përkeqësohej si u dërgua me mjetet e policisë në spital ku ndërroi jetë.
Sipas njoftimit, nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore. Nuk rezultoi që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe u konstatuan shenjat e krijuara në momentin e prangosjes.
Top Channel