Shpëtim Duro rikthehet në Superiore, firmos me klubin ambicioz

17/10/2022 13:54

Shpëtim Duro rikthehet në Superiore. Trajneri i njohur shqiptar, është prezantuar sot tek Egnatia, ekip ku zëvendëson Edlir Tetovën, i cili u shkarkua pas humbjes 1-2 përballë Teutës së Bledi Shkëmbit.

Klubi nga Rrogozhina ka zhvilluar një merkato cilësore dhe ka pretendime të larta. Drejtuesit e Egnatias vepruan shpejt pas ndërprerjes së bashkëpunimit me Tetovën dhe i besuan pankinën një eksperti si Duro siç lajmëroi SuperSport një ditë më parë.

ZYRTARE/ Shpëtim Duro është trajneri i ri i KF Egnatia. Tekniku ka firmosur kontratën dhe ka nisur përgatitjet me ekipin për ndeshjen e radhës”, lexohet në komunikatën zyrtare të klubit të Superiores.

Egnatia do të jetë klubi i tetë i Superiores për Duron, që më parë ka drejtuar Partizanin, Besën, Skënderbeun, Vllazninë, Flamurtarin, Kukësin dhe Laçin, ndërkohë që ka punuar edhe në Maqedoninë e Veriut te Shkëndija dhe në Kosovë te Drita.

62-vjeçari nga Tirana do të debutojë në pankinën e skuadrës rrogozhinase në fundjavë përballë Kukësit në transfertë. Egnatia renditet pas javës së tetë në vendin e shtatë me 9 pikë./ Super Sport

Top Channel