Fiks Fare zbulon tre parcela me hashash. Rrëfimi i punëtorit: Si futet dhe kultivohet fara e kanabis sativa

13/10/2022 20:45

Fiks Fare solli mbrëmjen e së enjtes një investigim sesi lulëzojnë parcelat e kanabisit në zonat e quajtura Malësia e Krujës dhe e Mirditës pa u ngacmuar nga policia. Zinxhirin  që nga hyrja e farës së tij deri tek kultivimi i bimës, tharja e më pas  shitjen.

Kamera e FIks fare ka hyrë në këto parcela që ndodhen në pyje,në toka pa pronar siç rëndomtë bëjnë trafikantët.

Punonjësi në këto parcela hashashi rrëfeu për Fiksin se edhe pse e dinte që po kryente një veprimtari të paligjshme,  ishin kushtet ekonomike që e kishin detyruar të merrej me këtë punë. “Nga papunësia u detyrova të mbjell lëndë narkotike për efekt ekonomie.

E di që është një gjë e paligjshme. Une e mbjell në mal. Toka ku ne e mbjellim nuk është në pronësi të dikujt. Lartësia e këtij terreni që ne kërkojmë është rreth 1000 metra mbi nivelin e detit. Zakonisht zgjedhim zona që nuk shihen lehtësisht” tregon ai.

Po si e sigurojnë farën e hashashit? Ai tregon për Fiksin se farat sillen nga Hollanda, transportohen me linjat e autobusave.

Që mos të bien në sy farat i mbështjellin  mirë me plastmas dhe më pas i fusin në shampo. Plastmasi  duhet të jetë i fortë që mos të lërë lagështirën të deportojë në fara. Personit që ia dorëzojnë  nuk është në dijeni se çfarë këto shampo përmbajnë brenda.

I pyetur se sa është çmimi i një fare kanabis sativa punonjësi shprehet se këtë lloj fare e marrin me 3 euro. Ajo kërkon një kohë rritje 4 mujore. Farat e hashashit që futen në vendin tonë janë në sasi të konsiderueshme sipas punonjësit, por ai vetë personalisht ka blerë 70 deri në 80 copë.

Këto fara i blen nga një person i besueshëm.  Më pas ai tregon  gjithë procesin e mbjelljes së tyre. ” E  blejmë farën e kthejmë në fidan për dy javë. Ndërtojmë një serë në mal. Periudha më e preferuar per ne si kultuvues është muaji Maj-Qershor, sepse temperaturat janë më të përshtatshme. Kjo bimë kërkon rreth 4 muaj, i shërbejmë me ujë plehra kimik, organik, sipas mundësive që kemi.

Ne parcelat i mbikqyrim me njëri tjetrin, shërbimin ua bëjmë natën dhe jo ditën, sepse nuk kemi guxim të shkojmë .I rrethojmë prej bagëtive që të mos na e sulmojnë . Për të siguruar ujin gjatë dimrit hapim gropa të mëdha dhe i mbulojmë me plasmas, ose gjejmë burimin më të afërt 1 kilometër dhe vendosim tuba uji dhe bëjmë vaditjet”.

Më pas tregon se puna e jashtëligjshme që bëjnë ka kostot e veta, por dëmi më i madh është ai i zbulimit nga policia. Dhe  si ai pohon ka pasur raste që bimët janë prerë nga policia. Frikë tjetër kanë edhe banorët e zonës  që mund të shohin parcelat e mund të spiunojnë, por çdo gjë punonjësi e justifikon se e bëjnë prej pamundësisë ekonomike.

Më pas ai vazhdon “Kur ne e mbjellim këtë bimë, tregun e kemi të siguruar. Unë kam arritur të bëj 10-15 kg, komshiu im ka arritur të bëjë 70 kg, të tjerë 40-30kg. Çmimi i kësaj bime është 700-800 euro për kg”.

Ai pohon se për mirëmbajtjen e një parcele me një numër të konsideruar rrënjësh kanabis sativa duhet të paktën 7 persona.   Pagesa e të cilëve varion nga 20 deri në 40 mijë lëkë të vjetra në ditë. Punëtorët punon me 3 turne, nga 2 persona në turn.

Më pas shpjegon procesin që ndjek bima deri sa të mbërrijë në produktin final. ” Për shkak të frikës bimën e thajmë në ambiente të mbyllura. Në shtëpi të braktisura, nësë ka rrymë elektrike përdorim freskuese mekanike, në të kundërt mbledhim dru në mal dhe ndezim oxhakun”. Por përveç policisë ajo që të bën përshtypje është se këta kultivues nuk ruhen vetëm nga policia por e dhe nga banorët për faktin se mund t’i vjedhin.  I pyetur nga gazetarët e Fiksit se sa ka arritur të bëjë me 70-80 fara, punonjësi përgjigjet se këtë vit  ka bërë 15 kg. Ndërsa për vitin tjetër do të kërkojë terren tjetër e do hapi sërish gropa.

Fiks Fare  iu drejtua fillimisht në malësinë e Krujës  e më pas në ato të Mirditës.  Grupit të xhirimit të Fiksit  ju desh më shumë se 2 ditë për të rënë në koordinatat e një prej plantacioneve të mbjella. Koordinata e parë ishte ajo e malësisë së Krujës, fshati Mafsheq.

Gazetarëve iu desh më shumë se 1 orë ecje me këmbë përmes një terreni të vështirë malor për të gjetur destinacionin. Identifikimi ishte i vështirë edhe pse zona  kundërmonte nga  era e fortë e bimës. Grupi xhirimit provoi të futej përmes pemëve dhe shkurreve që hasën duke arritur kështu në parcelën e parë të mbjellë me kanabis-sativa. Parcela e parë e identifikuar ishte një parcelë ku me  sy të lirë numëroheshin rreth 40 rrënjë të mbjella me një gjatësi rreth 2 metra.

Në anën e poshtme të kësaj parcele arrihej të shihej një tubacion uji i cili vinte nga ana tjetër e rrethimit.  Pak metra më tej kishte  produkte të  shumta  kimike  (pleh) që shërbenin për mirëmbajtjen e bimës. Në dalje të kësaj parcele numëroheshin me dhjetra rrënjë bimësh narkotike të cilat ishin korrur.

Parcëla e dytë që grupi i xhirimit të Fiks Fare preku nga afër ishte në malet e fshatit Selitë në Bashkinë Mirditë. Terreni ishte akoma më i thepisur, me shtigje kalimi të ngushta të krijuara mes shkurreve dhe pemëve të dendura.

Për të  lokalizuar parcelën Fiksin e orientoi  tubacioni i ujit. Ajo çfarë vihej re gjatë këtij rrugëtimi ishte se një pjesë e rrugës që duhet të përshkonin gazetarët ishte e hapur nga dora e dikujt. Pas 1 orë e 40 minuta ecje me këmbë u shfaqën  gjurmët e para të një parcele tjetër. Një parcelë e rrethuar me tel sigurie dhe trungje pemësh të hedhura përtej rrethimit dhe pak metra më tej më shumë se 10 rrënjë të korrura nga ku kishin mbetur vetëm trungjet e pemëve.

Gjurmët që kishin lënë kultivuesit ishin disa plehra kimike dhe vasketa për kultivimin e farës. Me sy të lirë  nga ana e sipërme e kësaj parcele mund të numërojmë rreth 60 rrënjë të bimës së mbjellë.

Gjithashtu Fiks Fare arriti të hyjë në një shtëpi shumë të vjetër dhe të pabanuar në të cilën procesi i tharjes dhe i përpunimit të bimës së kanabisit kryhej në 3 faza për gati 15 ditë. Faza e parë kryhej në një prej ambienteve të jashtme të kësaj shtëpie,  ku ndodheshin të varura me qindra degë të bimës narkotike të cilat më parë kalonin në proçesin e tharjes natyrale për të bërë më të lehtë ndarjen e boçes nga dega.

Për të kaluar më pas në fazën e dytë në njërën prej dhomave me oxhak  të këtij objekti të vjetër, ku mbi disa susta shtretërish ishin shtruar vetëm një pjesë e boçeve të bimës së pastruar, ku për t’i kaluar një tharje më të thelluar vinin në ndihmë 2 ventilatorë të ndezur.

Faza e tretë dhe përfundimtare ishte ajo e grumbullimit në një vend e të gjithë sasisë së përpunuar më parë dhe paketimi i saj në thasë të ndryshëm, ku me sy të lirë, rreth 50 kilogramë kanabis-sativa ishin gati për t’i kaluar tregut të zi.

 

FOTO GALERI
2/9

Top Channel