Shqipëria shpresë për kualifikimnë Euro 2024, në grupin E me Poloninë, Cekinë, Moldavinë dhe ishujt Faroe

09/10/2022 20:10

Kombëtarja shqiptare dhe ajo e Kosovës kanë mësuar fatin e tyre përsa i përket rrugëtimit të tyre në kualifikueset e Euro 2024.

Në Frankfurt të Gjermanisë, ku do të zhvillohet kompeticioni më i rëndësishëm kontinental, është hedhur shorti i këtyre kualifikueseve në një ceremoni ku morën pjesë legjenda të futbollit evropian si italianët Gianluca Zambrotta e Demetrio Albertini dhe gjermanët, Jurgen Klinsmann e Karl Heinz Ridle.

Ishin këto legjenda që përcaktuan edhe fatin e kombëtares shqiptare dhe 52 skuadrave të tjera. Shqipëria arriti të evitojë gjigantët e futbollit evropian si Anglia e Franca si dhe përballjet delikate me skuadrat e Kosovës, Serbisë apo Greqisë.

Në fakt Kombëtarja shqiptare u shortua në grupin E së bashku me Poloninë, skuadër të cilin e kishim në grup edhe në kualifikueset e Botërorit dhe Çekinë edhe kjo një skuadër jo e lehtë për të përballur.

Shqipëria është në grup me 5 skuadra dhe ato që plotësojnë këtë grup janë Ishujt Faroe dhe Moldavia, që duken të lehta në letër për skuadrën tonë përfaqësuese, por që nuk duhen nënvlerësuar.

Grup interesant është edhe ai i Kosovës, me skuadrën e Alain Giresse që do të përgatitet për një duel shqiptarësh teksa në Grupin i ku ajo iu shortua është edhe Zvicra e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, me këta të fundit që do të përjetojnë në mënyrë të veçantë këtë përballje me skuadrën e vendit të tyre të origjinës.

Përveç Zvicrës, në grupin e Kosovës, që është me 6 skuadra janë edhe Izraeli, Rumania, Andorra e Bjellorusia.

Përsa u përket grupeve të tjera bie në sy përbërja e Grupit C ku fati deshi të vendosë sërish përballë Italinë dhe Anglinë, 2 finalistet e evropianit të fundit të cilave iu janë bashkuar edhe Ukraina, Maqedonia e Veriut e Malta.

Në Grupin A, Spanja do të ketë kundërshtare, Skocinë, Norvegjinë, Gjeorgjinë dhe Qipron, ndërsa në grupin B janë Franca me Holandën të shoqëruara nga Irlanda, Greqia dhe Gjibraltari.

Grupi G mund të quhet fare mirë edhe një lloj minikampionati ballkanik pasi në të bëjnë pjesë Serbia, Mali i Zi dhe Serbia të cilave iu bashkohen  edhe Hungaria dhe lituania.

Kualifikueset e Euro 2024 do të nisin në mars të 2023 dhe do të mbyllen në nëntor po të këtij viti. Kualifikohen direkt në fazën finale 2 më të mirat e cdo grupi, ndërsa 3 të tjerat do të dalin nga faza e playoffit.

Evropiani i vitit 2024 në gjermani do të zhvillohet në periudhën 14 qershor-14 korrik dhe nga ky turne do të mësohet skuadra që do të pasojë Italinë në fronin e kampionit të Kontinentit të Vjetër.

Top Channel