Basha takime me anëtarë të PD? Berisha: Transparencë për financimet ruse, i vetmi koment që kam

03/10/2022 18:09

Në një prononcim për mediat në ambientet jashtë parlamentit Sali Berisha u pyet edhe për takimet e ish-kryetarit Basha me disa anëtarë të Partisë Demokratike.

Duke mos folur mbi to, Berisha tha se i vetmi koment për Bashën është të bëjë transparent problemin e fondeve ruse.

“I vetmi koment që kam unë për Lulzim Bashën është të bëjë transparent problemin e fondeve ruse. Kjo është shumë serioze. E them në mënyrë të vendosur. Unë nuk kam komunikuar kohët e fundit, por Komisioni i Auditit i krijuar për këtë qëllim atij do t’i japë të drejtën të shpjegojë këtë aktakuzë të rëndë, por tërësisht personale, pasi është faktuar se ajo nuk ka pasur lidhje me asnjë institucion të PD, nuk ka hyrë dhe dalë nga arka e PD, asnjë qindarkë.

Kjo është e sigurtë. Unë mendoj se është e domosdoshme që ai të sqarojë këtë akuzë të përsëritur, tashme. U bë njëherë nga gazetarë të Mother Jones, por tani nuk janë gazetarë, por shërbime inteligjente të SHBA.

Nuk kam asnjë lloj impresioni. U thashë edhe njëherë, me Bashën kam vetëm këtë problem, përsa kohë ai është anëtar i PD-së dhe deputet i grupit të PD, ai duhet të bëjë transparencë dhe ky është një kusht shumë i rëndësishëm. Nuk mund të pranohet një gjë e tillë pa u sqaruar. Të gjithë presin këtë sqarim.” -u shpreh Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA