I dërguari i posaçëm i qeverisë gjermane në Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, viziton rajonin e ardhshme me një pikë shumë të qartë në axhendën e tij: rritjen e pritshmërive ndaj Procesit të Berlinit.
“Kemi besimin se do të ecim përpara përsa i përket Tregut të Përbashkët Rajonal, solidaritetit në energji dhe Agjendës së Gjelbër, si dhe bashkëpunimit mes të rinjve në rajon. Pra, duam të rrisim pritshmëritë e Procesit të Berlinit dhe kjo është diçka e mire”, tha ai për DW, duke u përpjekur të sqaroje se nisma nuk është kundër “Open Balkan”, por nga ana tjetër, duke dëshmuar kësisoj, se Gjermania nuk ka në plan ta lërë pasdore projektin e ndërmarrë 28 gushtine vitit 2014 nga ish kancelarja Angela Merkel, me mbështetjen e Komisionit Europian.
Manuel Sarrazin: Ky proces synon të arrijë gjëra pozitive për qytetarët e këtij rajoni. Nuk është kundër këtij apo atij projekti. Procesi i Berlinit ka të bëjë me çuarjen përpara të gjërave dhe ne po përpiqemi të ndihmojmë në këtë zhvillim.
Sarrazin shtoi se me Shqipërinë tashmë në rrugën e negociatave me BE-në, Gjermania dëshiron avancimin e shpejtë të saj. Duhet të jemi të qartë rreth standarteve, shtoi ai e duhet ndjekur rruga e reformave.
Sarrazin: Sigurisht, nuk është një rrugë e lehtë. Ju duhet të transformoni jo vetëm legjislacionin, por të gjithë vendin. Duhet të shtroni pyetjet: si do të zhvillohen procedurat, si do të bëhet transparenca, sa duhet të përfshihet shoqëria civile në këtë proces dhe çfarë cilësie do të ketë ky proces.
Ai i pati dhe disa komente inkurajuese, ndërsa kujtoi potencialin zhvillimor të rajonit, që sipas zyrtarit të lartë gjerman, mund të mund të bëhet qendra e të gjitha linjave ndërkombëtare të transportit, sepse ndodhet në Mesdhe. Mundësitë tuaja të ndërlidhshmërisë janë të jashtëzakonshme, ishte shpjegimi tij, jo vetëm sa i përket transportit nga rajonet e tjera, por edhe për t’i dërguar produktet në tregun europian.
Top Channel