Kombet e Bashkuara kanë thënë të enjten se në kohën e pandemisë së koronavirusit janë ndarë më shumë fonde për inovacion, sesa para shpërthimit të saj.
Megjithatë, zyrtarë të OKB-së kanë paralajmëruar se situata aktuale gjeopolitike është duke kërcënuar avancimet.
Në raportin më të ri të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Pronë Intelektuale, është thënë se fondet për kërkim, zhvillim dhe investimet tjera që nxisin aktivitetin inovativ, kanë vazhduar të rriten pavarësisht ndikimit të pandemisë.
“Kjo gjë ka qenë në kundërshtim me atë që kemi pritur”, ka thënë shefi i agjencisë për Pronë Intelektuale, Daren Tang, duke përmendur se në periudhat e rënda në të kaluarën, fondet për inovacion kanë rënë ndjeshëm.
Mirëpo kriza globale shëndetësore ka nxitur investime në “shumë fusha të reja” dhe rajone që zakonisht nuk tërheqin fonde aq të mëdha.
Fondet për kërkime dhe zhvillim janë rritur për gati 10 për qind më 2021, duke arritur në 900 miliardë dollarë – edhe më shumë sesa para pandemisë.
Sektorët që kanë përfituar më së shumti janë ai i farmacisë, bioteknologjisë, informacionit dhe teknologjisë së komunikimeve.
Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.
Më shumë se 6.5 milionë njerëz kanë vdekur prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili./Rel
Top Channel