Ceuta po përballet me pasojat e një prej krizave më të mëdha kufitare të viteve të fundit, pasi dhjetëra mijëra migrantë kaluan nga Maroku drejt enklavës spanjolle në Afrikën e Veriut.
Sipas autoriteteve, shumica e migrantëve që hynë në territorin spanjoll janë kthyer në këmbë drejt Marokut, ndërsa forcat e sigurisë vijojnë kërkimet në zonat përreth qytetit dhe në ujërat pranë bregut.
Gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin, të paktën 72 persona humbën jetën, disa prej tyre si pasojë e mbytjeve dhe të tjerë gjatë përplasjeve në zonën kufitare.
Kriza shpërtheu pasi mijëra persona, kryesisht të rinj, arritën të kalonin barrierat kufitare duke rritur brenda pak ditësh ndjeshëm popullsinë e Ceutës, një qytet me rreth 84 mijë banorë. Autoritetet marokene deklaruan se shumë prej migrantëve ishin ndikuar nga informacionet e rreme në internet dhe rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore.
Ngjarjet në Ceuta kanë rikthyer debatin për emigracionin në Europë. Në qytet mbërritën edhe figura të së djathtës ekstreme spanjolle, të cilat kritikuan qeverinë për menaxhimin e kufirit.
Ndërkohë, një pjesë e banorëve kanë kërkuar që kriza të mos përdoret për përçarje mes komuniteteve, duke theksuar traditën e bashkëjetesës mes kulturave të ndryshme në Ceuta.
Papa Leo XIV ka reaguar gjithashtu për situatën, duke shprehur shqetësim dhe duke bërë thirrje për gjetjen e zgjidhjeve që garantojnë paqe, stabilitet dhe drejtësi.
Top Channel