Fiks Fare denoncoi veprimet e kryetarit të Njësisë Administrative Fushë Bulqizë, i cili ka lënë pa ujë qindra banorë, ndërsa ai vetë personalisht e merr ujin në burim pa paguar dhe pa i lënë familjet e tjera të vendosin tuba privatisht.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankuan banorët e një lagjeje të fshatit Fushë Bulqizë në Bulqizë, të cilat thanë se s’kanë ujë të pijshëm, pavarësisht se fshati i tyre rrethohet nga dhjetëra burime.

“Unë jam 80 vjeçe. Vijoi të mbush ujë me karrocë dhe me bidonë. S’kam ku ta marr ujin. Na e merr ujin banorët e lagjes tjetër. Vetëm të vritemi me ta” thotë e moshuara, ndërsa një tjetër pohon se “lagjja tjetër ka kryer investime, vendos tuba për ujë të pijshëm dhe vaditje dhe ne s’kemi as për të pirë”.

Banorë, njëzëri thanë se problemi i tyre është me kryetarin e Njësisë Administrative, Selim Alliu, i cili, bashkë me lagjen e tij, ka bërë një investim privat dhe nuk i lejon ata te burimi.

“Edhe ne e bëjmë investimin privat, po s’na lejon njeri. Selimi ka vendosur tubë të madhe dhe merr ujë për të pirë dhe vaditje dhe ne nuk ka lejon. Uji është i të gjithëve” thotë një tjetër, ndërsa pohojnë se kanë shkuar në çdo institucion, po zëri i tyre nuk është dëgjuar.

Pas ankesave, Fiksi shkoi në banesën e 80-vjeçares, e cila çdo ditë merr karrocën dhe mbush ujë në një burim aty pranë. Megjithëse në banesë fëmijët i kanë bërë instalimet për ujë të pijshëm dhe për të larë, në banesë gjen vetëm disa enë të mbushura me ujë. “Këto i përdor për të pirë, larë enët dhe gatuar. Jam vetëm dhe i mbush me karrocë. Tani më dhëmb dora” thotë e moshuara.

Pas këtyre ankesave, një nga banorët shkon te Njësia Administrative Fushë Bulqizë dhe takon administratorin Selim Alli. Ai e pyet se përse lagjja e tij nuk lejohet të marrë ujë. Madje, ata debatojnë dhe Alliu i thotë se “ujë është i lagjes tjetër”.

Sipas tij, bashkia do të ndërhyrë dhe do të bëjë një ujësjellës, por deri më tani, nuk e ka bërë një gjë të tillë. “Ju keni ujë për të pirë dhe vaditje. Ne s’kemi!” i thotë banori, ndërsa Administratori i përgjigjet se “s’kam çfarë të bëj, ne e kemi pasur si trashëgimi. Ndërkohë, banorët shkojnë edhe në Bashkinë Bulqizë, ku nënkryetari i thotë se “do e zgjidhë atë problem.

“E di problemin dhe ai (kryetari i Bashkisë) do e bëjë pavarësisht se nuk duan shumë persona” i thotë nënkryetari qytetarit, duke ia thënë indirekt se Selimi nuk do që lagjja të ketë ujë të pijshëm, madje ajo lagje është ankuar edhe në Prefekturë, ku mes tyre është edhe Administratori, Selim Alliu.

Gazetarët e Fiks Fare shkojnë në Njësinë dhe e pyesin personalisht Administratorin, nëse e ka çuar zërin e banorëve që s’kanë ujë në bashki. “Kam folur dhe ata do kenë ujë që do e paguajnë” thotë ai, ndërsa gazetarët e pyesin nëse ai ka ujë për të pirë dhe vaditur. “Unë kam vendosur tubë në atë vend.

Ne kemi investuar vetë, e kemi bërë vetë” thotë ai, ndërsa pyetjes se përse lagjja tjetër nuk lejohet të investojë personalisht përgjigjet “e kemi trashëguar ne!”. Fiksi e pyeti se sa diametër e ka vendosur tubën në atë burim dhe i del për të pirë dhe vaditje, ndërsa Alliu pohon se “e kam edhe për vaditje, pasi kanali nuk e sjell dot në bahçe”. Por, pyetjes nëse ai dhe banorët e lagjes e paguajnë ujin, thotë se jo. Pra, ai dhe banorët e tjerë kanë ujë për të pirë dhe vaditje, dhe banorët e lagjes tjetër as nuk lejohen të marrin ujë në atë burim, as për të pirë!

Fiksi pyeti edhe në Bashkinë e Bulqizës, të cilët thanë se janë në dijeni të këtij problemi. Madje, nënkryetari pohon se “kryetari e ka miratuar dhe ka shkuar në Këshillin Bashkiak”. Ai thotë se shumë shpejt problemi do të zgjidhet, por deri në transmetimin e këtij investigimi, Bashkia e Bulqizës nuk bëri asnjë zgjidhje, qoftë provizore apo përfundimtare.

FOTO GALERI
7/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA