Senatorja amerikane në Tiranë: Të rinjtë shqiptarë duhet të ndërtojnë të ardhmen e vendit, jo të largohen nga mungesa e mundësive

10/10/2026 12:45

Senatorja demokrate amerikane Jeanne Shaheen ka kërkuar forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe krijimin e mundësive ekonomike për të rinjtë shqiptarë.

Gjatë një aktiviteti të Këshillit Atlantik në Tiranë, ajo theksoi se Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor kanë nevojë për institucione të besueshme, konkurrencë të ndershme dhe partneritet të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara.

Senatorja amerikane Jeanne Shaheen, anëtare e Partisë Demokratike Amerikane dhe përfaqësuese e shtetit të New Hampshire, ka zhvilluar një diskutim me të rinj shqiptarë në Tiranë, në kuadër të aktivitetit të Këshillit Atlantik me temë “Zgjedhja e Shqipërisë: Të rinjtë liderë në bashkëbisedim me senatorët amerikanë”.

Shaheen, e cila mban detyrën e anëtares më të lartë të pakicës demokrate në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, vuri në qendër të fjalës së saj të ardhmen e të rinjve, forcimin e demokracisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit amerikan me vendet e Ballkanit Perëndimor.

E shoqëruar nga senatori Dick Durbin, ajo theksoi se gjatë karrierës së saj politike i ka kushtuar vëmendje të veçantë rajonit, duke argumentuar se paqja dhe stabiliteti kërkojnë jo vetëm zhvillim ekonomik, por edhe institucione demokratike funksionale.

Një nga çështjet kryesore të ngritura nga senatorja amerikane ishte largimi i të rinjve nga Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit për shkak të mungesës së mundësive.

Sipas saj, ekziston një dallim thelbësor mes largimit nga vendi për të eksploruar mundësi të reja dhe ndjesisë se largimi është e vetmja rrugë për të siguruar një të ardhme më të mirë.

“Ka një ndryshim mes zgjedhjes për t’u larguar dhe besimit se nuk ke zgjidhje tjetër, si dhe mes largimit dhe zgjedhjes për t’u kthyer”, u shpreh Shaheen.

Ajo theksoi se vendimi i të rinjve për të qëndruar në vendin e tyre lidhet me disa pyetje themelore: nëse puna dhe përkushtimi shpërblehen, nëse bizneset mund të konkurrojnë në mënyrë të drejtë, nëse gjykatat i mbrojnë qytetarët dhe nëse njerëzit mund t’u besojnë institucioneve publike.

“A mund të ndërtoj një jetë në vendin tim?”, ishte një nga pyetjet që senatorja veçoi si thelbësore për të ardhmen e brezit të ri.

Sipas saj, krijimi i kushteve që të rinjtë të kenë mundësi reale për zhvillim profesional dhe ekonomik duhet të jetë një nga objektivat kryesorë të politikave për Shqipërinë dhe rajonin.

Gjatë fjalës së saj, Shaheen mirëpriti përpjekjet e administratës amerikane për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik me Shqipërinë, për të ulur barrierat tregtare dhe për t’u krijuar më shumë mundësi kompanive amerikane dhe sipërmarrësve shqiptarë.

Megjithatë, ajo nënvizoi se mënyra se si realizohen këto marrëveshje ka rëndësi të veçantë, duke kërkuar transparencë dhe konkurrencë të ndershme.

“Diplomacia amerikane duhet t’u hapë dyert bizneseve amerikane, por nuk duhet të vendosë se cilat biznese amerikane mund të kalojnë nëpër ato dyer”, deklaroi senatorja.

Ajo argumentoi se marrëveshjet e favorizuara për shkak të lidhjeve politike nuk mund të përbëjnë bazën e investimeve të qëndrueshme. Sipas saj, investitorët kanë nevojë për rregulla transparente, konkurrencë të drejtë dhe një sistem ligjor të cilit mund t’i besojnë.

Shaheen theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet t’i zbatojnë të njëjtat standarde që kërkojnë nga partnerët e tyre, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe në forcimin e sundimit të ligjit.

Duke folur për situatën në rajon, senatorja amerikane u ndal edhe te zhvillimet në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, duke theksuar se siguria e Shqipërisë lidhet ngushtë me stabilitetin e të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Ajo kujtoi vizitën në Bosnjë-Hercegovinë, ku delegacioni amerikan zhvilloi takime me përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile, si dhe vizitoi Srebrenicën.

Shaheen paralajmëroi se, më shumë se tri dekada pas luftës, tensionet etnike dhe sfidat ndaj sovranitetit të Bosnjë-Hercegovinës mbeten shqetësuese.

Ajo kritikoi gjithashtu vendimin e administratës amerikane për heqjen e sanksioneve ndaj Milorad Dodikut dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, duke shprehur shqetësimin se veprime të tilla mund t’u japin legjitimitet forcave politike që minojnë Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.

“Shqipëria e kupton se paqëndrueshmëria nuk ndalet në kufi. Ajo që ndodh në Bosnjë ka rëndësi këtu. Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi këtu”, deklaroi Shaheen.

Sipas saj, nëse objektivi është ruajtja e paqes, politika amerikane duhet të mbështesë institucionet dhe marrëveshjet që kanë ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit në rajon.

Një tjetër çështje e rëndësishme në fjalën e senatores ishte integrimi evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Shaheen u shpreh në mbështetje të një perspektive të besueshme për anëtarësimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se procesi i integrimit ndihmon në forcimin e institucioneve demokratike, të sistemit të drejtësisë dhe të qeverisjes ekonomike.

Ajo paralajmëroi se procesi nuk duhet të shndërrohet në një premtim të pafund, ndërsa vendet që realizojnë reformat e kërkuara duhet të kenë një rrugë të qartë drejt anëtarësimit.

Sipas Shaheen, demokracia dhe zhvillimi ekonomik janë të lidhura drejtpërdrejt: bizneset investojnë kur kontratat zbatohen dhe gjykatat janë të pavarura, ndërsa të rinjtë kanë më shumë arsye të qëndrojnë kur besojnë se puna e tyre do të shpërblehet.

Në përfundim të fjalës, Shaheen iu drejtua të rinjve shqiptarë me një mesazh për përfshirje aktive në jetën publike dhe përgjegjësi ndaj institucioneve.

Ajo u bëri thirrje të kërkojnë institucione që funksionojnë, të krijojnë biznese, të angazhohen në politikë dhe t’i mbajnë përgjegjës përfaqësuesit e tyre.

“Qëndroni të angazhuar. Kërkoni institucione që punojnë për ju. Ndërtoni biznese, kandidoni për poste publike, kërkojuni llogari udhëheqësve tuaj dhe ndërtoni Shqipërinë ku dëshironi të jetoni. E ardhmja është në duart tuaja”, deklaroi senatorja amerikane.

Shaheen bëri të ditur gjithashtu se kjo ishte vizita e saj e fundit në rajon në kuadër të një delegacioni të Kongresit, pasi në fund të vitit do të largohet nga Senati.

Ajo theksoi se brezi i ri ka përgjegjësinë për të vazhduar punën për paqen, demokracinë dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që qëndrimi në vend të jetë një zgjedhje e vërtetë dhe jo një alternativë e imponuar nga mungesa e mundësive.

Top Channel