Krimi makabër në Gjilan, policia bastis shtëpinë e 38-vjeçarit që vrau bashkëshorten dhe kunatin: Iu gjetën armë dhe municione luftarake

10/10/2026 11:13

Policia e Kosovës ka bastisur shtëpitë dhe pronat e 38-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vëllait të saj, si dhe plagosjen e një personi tjetër.

Gjatë kontrolleve, të zhvilluara me urdhër të prokurorit, janë gjetur dhe sekuestruar disa armë, qindra fishekë dhe prova të tjera materiale që mund të ndihmojnë në hetimin e rastit.

Sipas raportit ditor të Policisë së Kosovës, gjatë bastisjeve në pronat e të dyshuarit janë gjetur dy armë të gjata me leje të skaduar, një pistoletë pa leje dhe një armë gjuetie. Po ashtu, janë sekuestruar 520 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 1600 gëzhoja për pushkë gjuetie.

Gjatë operacionit, si prova materiale janë sekuestruar edhe disa telefona celularë dhe pajisja DVR, e cila shërben për regjistrimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë.

Hetimet kanë përfshirë edhe dy vendet ku dyshohet se ka ndodhur ngjarja. Në këto lokacione, policia ka sekuestruar katër fishekë, 21 gëzhoja dhe pesë predha.

Ndërkohë, brenda veturës së të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar edhe një pistoletë, për të cilën ekziston dyshimi se është përdorur në kryerjen e veprës penale. Sipas policisë, edhe kjo armë kishte leje të skaduar.

Provat e mbledhura pritet të shqyrtohen në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se, sipas të dhënave që posedojnë autoritetet, 38-vjeçari nuk ka të kaluar kriminale dhe as raste të mëparshme të raportuara për dhunë në familje.

Ngjarja e rëndë ndodhi të premten, kur i dyshuari dyshohet se qëlloi me armë zjarri ndaj bashkëshortes dhe vëllait të saj, duke u shkaktuar vdekjen, ndërsa një person tjetër, djali i xhaxhait të bashkëshortes, mbeti i plagosur.

Top Channel