Kthim pas udhëtimit në kozmos/ Katër astronautë kthehen nga stacioni hapësinor, kapsula u ul në Paqësor

10/10/2026 15:35

Kapsula Dragon, me katër anëtarët e misionit Crew-12 në bord, u ul të enjten në ujërat e Paqësorit, duke përmbyllur tetë muaj qëndrimi në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.

NASA e transmetoi drejtpërdrejt kthimin, që përfundoi sipas planit pranë brigjeve të Kalifornisë. “Jemi shumë të lumtur që u kthyem në planetin Tokë pas një misioni të jashtëzakonshëm”, tha komandantja amerikane Jessica Meir.

Me të udhëtuan amerikani Jack Hathaway, francezja Sophie Adenot dhe kozmonauti rus Andrei Fedyaev. Pas uljes, kapsula u ngrit në një anije të specializuar.

Ekipet ndihmuan astronautët të dilnin njëri pas tjetrit dhe të kryenin kontrollet e para mjekësore. Më pas, itinerari i tyre parashikon transportin me helikopter në tokë dhe fluturimin drejt Hjustonit, ku ndodhet qendra e NASA-s për operacionet e astronautëve.

Gjatë misionit, Sophie Adenot u bë astronautja e parë franceze që doli jashtë stacionit për një ecje hapësinore. Ajo kreu tri të tilla, dy në gusht dhe një në shtator.

Në laboratorin orbital ka mbërritur tashmë një ekuipazh i ri me katër anëtarë, që pritet të qëndrojë rreth gjashtë muaj. Stacioni është banuar pa ndërprerje prej një çerek shekulli.

Dalja e tij nga orbita dhe rënia e kontrolluar në oqean parashikohen rreth vitit 2030. Pavarësisht tensioneve pas pushtimit rus të Ukrainës, bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe partnerëve të tjerë vazhdon në hapësirë.

Top Channel