Reshjet e dendura të shiut përmbytin rrugët në Vlorë, alarm për pusetat e bllokuara dhe ujin pranë banesave
Një shtetase gjermane, 51 vjeçe, është arrestuar nga Policia Kufitare pasi gjatë kontrollit të automjetit dhe rulotit që drejtonte u gjetën një armë zjarri pistoletë me municion dhe rreth 141 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Sipas njoftimit të Policisë, automjeti është përzgjedhur për kontroll të detajuar në skaner dhe më pas i është nënshtruar kontrollit fizik në vijën e dytë, në dalje.
Aksioni u zhvillua nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër.
Gjatë kontrollit, uniformat blu gjetën një pistoletë me mulli dhe municionin përkatës, si dhe gjashtë kavanoza e tri qese hermetike që përmbanin lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale rreth 141 gramë.
Në vijim të veprimeve hetimore, 51-vjeçarja me inicialet A. S., drejtuese e automjetit, u arrestua në flagrancë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit me municionin, lënda e dyshuar narkotike, automjeti së bashku me rulotin dhe një telefon celular.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme lidhur me veprat penale të dyshuara të “Trafikimit të narkotikëve” dhe “Trafikimit të armëve dhe municioneve”. Hetimet për rastin vijojnë.
Top Channel