Të përfshirë në kontrabandë, pezullohen nga detyra 2 inspektorë të kufirit dhe 2 doganierë në Qafë-Thanë

27/09/2022 09:55

Dy inspektorë, A.H., 43 vjeç dhe F.M., 38 vjeç, me detyrë trupë shërbimi në pikën e kalimit kufitar Qafë Thanë dhe dy doganierë në Pogradec, janë pezulluar nga detyra.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njofton se katër zyrtarët janë pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Pogradecit.

Dy inspektorët akuzohen për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë, ose me pezullim të plotë/të pjesshëm, nga detyrimet doganore apo të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

V.B., 53 vjeç dhe J. P., 45 vjeç me detyrë doganier fizik në Degën e Doganës Pogradec, akuzohen për kryerjen e veprës penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.

“Këta shtetas janë pezulluar në kuadër të procedimit penal nr.206, viti 2022, të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, i referuar dhe ndjekur nga AMP Korçë nën drejtimin e kësaj Prokurorie gjatë operacionit “Dinarët” në kuadër të punës kundër kontrabandës dhe veprimeve abuzive në pikat kufitare, ku me herët në lidhje me këtë proçedim janë arrestuar në flagrancë 7 shtetas, ndër ta edhe punonjësit e mësipërm.”- njofton AMP.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA