Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, u nderua përmes një varrimi shtetëror, që ka shkaktuar ndarje në shtet.
Ushtarët mbajtën urnën me hirin e tij, që e solli e veja e Abes, teksa gjatë ceremonisë u çmua lart kontributi i tij gjatë shërbimit të tij si kryeministër për nëntë vjet.
Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, tha se gjatë ceremonia e varrimit e financuar nga shteti, u bë për të nderuar liderin që ka shërbyer më së gjati në historinë moderne politike të Japonisë, por organizimi i ceremonisë shtetërore ka ndarë publikun, teksa janë organizuar edhe protesta.
Në ceremoninë e varrimit morën pjesë nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, Princi i Kurorës së Japonisë, Akishino, dhe udhëheqës të tjerë.
E veja e Abes, Akie Abe, kishte të veshur një kimono të zezë dhe hyri në qendrën ku u mbajt varrimi, duke mbajtur në duar urnën me hirin e burrit të saj.
Gjatë ceremonisë u shfaqën edhe fjalime të Shinzo Abes në kohën kur ishte kryeministër dhe vizitat që kishte zhvilluar në pjesën veriore të Japonisë më 2011, kur vendi u përball me cunami.
Gjatë fjalimit 12-minutësh, Kishida çmoi kontributin e Abes, duke e cilësuar si politikan me vizion të qartë për rritjen ekonomike dhe zhvillimin e Japonisë dhe botës. Sipas Kishidas, ai promovoi konceptin e “një Indo-Paqësori të hapur dhe të lirë”, teksa sfidoi ndikimin e Kinës.
“Ju ishit një person që do të duhej të jetonte shumë më gjatë”, tha Kishida duke shikuar fotografinë e Shinzo Abes.
“Kam besim se ju keni kontribuar si busull për të treguar drejtimin që Japonia dhe bota duhet të marrë në 10 apo 20 vjetët e ardhshëm”.
Trupi i Abes është djegur qershor, disa ditë pasi ai u vra teksa po mbante një fjalim gjatë fushatës zgjedhore në Nara, në perëndim të Japonisë.
Gjatë ceremonisë shtetërore të varrimit, në Tokio kishte masa të rrepta sigurie, veçmas afër qendrës Budokan, ku u mbajt ceremonia.
Në rrugët e Tokios, qindra persona protestuan për të kundërshtuar varrimin shtetëror.
“Shinzo Abe nuk ka bërë asgjë për njerëzit e zakonshëm”, tha Karou Mano, që doli të protestonte.
Qeveria japoneze ka thënë se ceremonia nuk ka pasur qëllim që ta detyrojë askënd që ta nderojë Aben. Por, financimi i ceremonisë shtetërore të varrimit, kundërthëniet për lidhjes midis partisë në pushtet dhe Kishës së Unifikuar, kanë thelluar ndarjet rreth varrimit shtetëror.
Partitë kryesore opozitare të Japonisë kanë bojkotuar funeralin.
Kishida është kritikuar se shtyu përpara mbajtjen e ceremonisë shtetërore të varrimit mes akuzave për lidhjet e partisë së tij me Kishën. Vrasësi i Abes, raportohet se i ka thënë policisë se e ka kryer vrasjen për shkak të lidhjeve të ish-kryeministrit me Kishën.
Gjyshi i Abes, ish-kryeministri Nobusuke Kishi, kishte ndihmuar në ngritjen e Kishës në Japoni. Kundërshtarët thanë se mbajtja e varrimit shtetëror për Aben është e barasvlershme me mbështetjen e lidhjeve të partisë në pushtet me Kishën e Unifikuar.
Kjo Kishë është akuzuar për praktika të papërshtatshme të rekrutimit dhe të të bërit biznes, por i ka mohuar këto akuza./REL
Top Channel