Persona të maskuar, me motor, të cilët kryejnë atentatin dhe më pas zhduken duke lënë si gjurmë vetëm mjetin lëvizës të djegur.
Kjo është skema e njëjtë, që po përdoret në vrasjet e fundit në qytetin e Shkodrës dhe një plan i tillë u zbatua edhe në ekzekutimin e 19-vjeçarit, Erjon Xhenje, mbrëmjen e së dielës në lagjen “Naim Gjylbegu”.
Viktima ka qenë i vetëm duke pirë kafe, kur rreth ores 20:10 minuta, dy persona janë afruar me motor, njëri është ulur dhe i është afruar duke qëlluar disa herë me pistoletë në drejtim të tij. Kamerat e sigurisë në zonë e kanë regjistruar momentin, por prokuroria dhe policia ende nuk kanë arritur të identifikojnë autorët,të cilët pas vrasjes zhduken.
Grupi hetimor është përqendruar tek të afërmit e 19-vjeçarit, pasi ai është kushëriri i Shkëlzen dhe Sehar Xhenje, dy persona të njohur për policinë e Shkodrës të përfshirë në disa ngjarje kriminale.
Dyshimet janë se kjo vrasje mund të këtë lidhje me ekzekutimin pak ditë më parë në derën e shtëpisë të Ismet Çekorjes. Që prej muajit Shkurt, kjo është vrasja e 6-të në Shkodër e pa zbuluar nga ana e policisë.
Top Channel