Eksperti Edmond Liçaj i ftuar në Top Story tha se sulmi kibernetik nga Irani është një mesazh për shtetin shqiptar.

“Në rastin tonë ne për fatin tonë të keq kemi pasur të bëjmë me implikimin e  një shteti, është një ndër shtetet në botë në luftë të vazhdueshme, ka shumë armiq. Shqipëria nuk ka qenë më shumë se një karrem duke i ditur dobësitë si një shtet dhe infrastrukturën e Shqipërisë, mund të hedhim hije dyshimi. Infrastrukturat kanë qenë të dobëta dhe penetrimi ka qenë i lehtë, duke marrë përballë kush ka qenë armiku. Pse nuk ia kanë dalë deri më tani? Sepse nuk kemi qenë të digjitalizuar sa jemi sot, edhe ngaqë Shqipëria është reklamuar shumë edhe në arenën ndërkombëtare. Më shumë është mesazh se sa t’i vlejë Iranit kjo”, tha ai.

Kanë kaluar më shumë se 48 orë nga sulmi kibernetik ndaj sistemeve të policisë, ndërsa ato nuk janë akoma kthyer totalisht në normalitet.

Grupi i hakerave vijon të publikojë video ku tenton të tregojë se është një hap para autoriteteve dhe se ka akses të kamerave të aeroportit dhe sistemeve të policisë.

Grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e këtij sulmi ka dedektuar në sistem ndërhyrje nga 18 IP që i përkojnë 18 vendeve te ndryshme.

Policia shqiptare u ka nisur letër-porosi këtyre vendeve për të shkuar tek autorët e këtij sulmi, ndërsa TIMS ende ka probleme.

Top Channel