Diplomatët iranianë boshatisën ambasadën e Iranit në Tiranë dhe po largohen nga vendi, me kërkesë të qeverisë shqiptare, që njoftoi prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin.

Një makinë “Benz” u largua këtë mëngjes nga ambasada e Iranit, e mbushur me sende personale në sediljet e pasagjerëve. Të tjerë punonjës u larguan në këmbë.

Godina është rrethuar me shiritin policor dhe forcat blu vazhduan me procedurat e kontrollin në seli. Forca të shumta policie dhe RENEA pritën mesditën, kur mbaronte afati i lënë nga qeveria për largimin e diplomatëve iranianë, për të hyrë në godinën e ambasadës iraniane. Ky moment ka tërhequr vëmendjen e medieve vendase dhe të huaja, që kanë ndjekur hap pas hapi boshatisjen e godinës.

Flamuri i Iranit vijon të valëvitet, pasi diplomatët nuk pranuan të ulin simbolin e tyre kombëtar. Selia diplomatike ka qenë me qira dhe tashmë në godinë ka ardhur pronari i saj.

Siç raportoi mbrëmjen e djeshme gazetarja e Top Channel Doriana Bezat, ka patur një letër këmbim mes ambasadës të Iranit dhe Ministrisë të Punëve të Jashtme. Prej tyre është kërkuar më shumë kohë për tu larguar, por kërkesa nuk u pranua.

Qeveria shqiptare ndërmorri vendimin ekstrem dhe njoftoi një ditë më parë se ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

Vendim vjen pas sulmit kibernetik ndaj institucioneve qeveritare. Sipas hetimeve të deritanishme, dyshohet se sulmi ka ardhur nga Irani, tashmë vend jo mik me Shqipërinë.

Gjatë natës, u bënë lëvizje të herëpashershme në ambientet e ambasadës. Një kamionçinë solli një fuçi ku u dogjën dokumentet, pasi iranianët nuk mund t’i marrin me vete. Diplomatët kanë vazhduar me përgatitjet e tyre, ndërkohë që pritet të shohim nëse ata do të largohen në kohë nga Tirana.

FOTO GALERI
3/9

Top Channel