Para një dimri të vështirë energjetik ndodhet qeveria greke, pasi krahas betejës me çmimet në rritje të energjisë, theksi po vihet edhe tek kursimi i saj, si nga familjet ashtu edhe nga bizneset.

Por në fazën e parë  të një plani gjigant kursimi  në qendër të vëmendjes është sektori publik ku për vitin 2021 qeveria ka paguar fatura prej 700 milion eurosh pa filluar kriza energjitike.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp katër ministra të kabinetit shpallën masat për kursimin e energjisë në këtë sektor,duke vënë në zbatim të ashtuquajturin “plani termostati”, i cili do të aplikohet për kontrollin e temperaturës në ndërtesat publike nën shembullin e Gjermanisë dhe Italisë , ndërsa këto masa do të kombinohen me “bonuse” dhe “penalitete”.

Qëllimi është që fillimisht të reduktohet konsumi me 10% dhe në afat të gjatë me 30%. Për arritjen e këtij qëllimi, organeve publike u kërkohet të procedojnë menjëherë me masat e kursimit të energjisë, me rregullimin e temperaturës, mirëmbajtjen e sistemeve të ftohjes dhe ngrohjes, instalimin e sistemeve të hijezimit aty ku është e nevojshme etj.

Çdo godinë pritet të ketë një përgjegjës, ndërsa synimi është t’i jepet fund dritave të harruara dhe pajisjeve të hapura të ngrohjes nëpër zyra pas orarit të punës.

Kostas Skrekas- Ministër i Energjitikës:

“Ky program kursimi duhet të vazhdojë. De duhet të vazhdojë edhe më shumë në muajt e dimrit, kur ekziston gjithnjë një mundësi siç e dimë të gjithë, BE të reduktojë në një masë prej 15% konsumin e gazit natyror në se kjo do të vendoset nga samiti i ministrave të Energjitikës.

Masat do të shoqërohen edhe me stimuj si përshembull për ato shërbime publike që arrijnë kursimet e dëshiruara të energjisë, do të shpërblehen me fonde të shtuara shtetërore për të kryer punësime të reja , dhe me penalitete në rast të kundërt , pra me ngrirje të këtyre fondeve.

Gjithashtu konsumi i energjisë në sektorin publik do të monitorohet nëpërmjet një sistemi dixhital dhe synohet që të ketë një pasqyrë të faturave të energjisë të çdo ndërmarrje publike me pagesën që duhet të kryejë. Rëndësi të veçantë i kushtohet bashkive për ndriçimin e rrugëve, ndërsa vlerësohet se zbukurimet e me drita në periudhën e Krishtlindjeve të paktën këtë vit nuk do ti shohim.

Qeveria do të fillojë edhe një fushatë informuese për qytetarët, me rekomandime  dhe stimujt me qëllim nxitjen e amvisërive dhe sektorit privat për të kursyer energjinë”.

Top Channel