Moti i keq përfshin disa rajone të Greqisë/ Stuhi, breshër dhe rrufe, autoritetet apel qytetarëve për kujdes të shtuar

12/06/2026 16:49

Moti i keq ka përfshirë disa rajone të Greqisë, duke sjellë reshje të dendura shiu, stuhi të forta, breshër dhe aktivitet intensiv të rrufeve.

Sipas meteorologëve, fenomenet pritet të vazhdojnë edhe gjatë orëve në vijim, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes.

Breshër është regjistruar në Mandra të Atikës, si dhe në rajonet e Fthiotidës dhe Larisës. Fenomene të forta atmosferike janë raportuar edhe në Kostur.

Sipas meteorologëve përkeqësimi i motit do të vazhdojë deri në fund të pasdites, me stuhi lokale që do të prekin pjesë të Atikës. Fenomenet mund të shoqërohen me reshje intensive, aktivitet të lartë rrufesh, erëra të forta dhe breshër.

Sipas mediave lokale, pemë dhe degë të shumta ranë dhe bllokuan rrugët.

Dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në kulturat bujqësore, veçanërisht në pemët e fëstëkut dhe kultura të tjera frutore, të cilat u goditën nga erërat e fuqishme dhe breshëri.

Meteorologët paralajmërojnë se moti i paqëndrueshëm do të vijojë edhe në orët e ardhshme, ndaj qytetarët këshillohen të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e prekura nga stuhitë.

Top Channel