Moti i keq përfshin disa rajone të Greqisë/ Stuhi, breshër dhe rrufe, autoritetet apel qytetarëve për kujdes të shtuar
Izraeli po ushtron presion ndaj Shteteve të Bashkuara për të parandaluar zhbllokimin e aseteve iraniane si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme armëpushimi mes Uashingtonit dhe Teheranit, raporton CNN.
Kryeministri Benjamin Netanyahu ka zhvilluar kontakte të vazhdueshme me Presidentin amerikan Donald Trump, përfshirë edhe një bisedë të enjten në mbrëmje, pasi Trump deklaroi se disa vende të Lindjes së Mesme kishin mbështetur marrëveshjen.
Më vonë, Netanyahu tha se Trump ishte angazhuar për largimin e uraniumit të pasuruar nga Irani, çmontimin e programit bërthamor iranian, kufizimin e kapaciteteve raketore dhe ndërprerjen e mbështetjes për grupet aleate të Teheranit në rajon.
Ndërsa Trump ka folur publikisht kryesisht për çështjen e uraniumit të pasuruar, ai nuk ka përmendur prej javësh kufizimet ndaj programit raketor apo grupet e mbështetura nga Irani. Sipas CNN, njoftimi i Trump për një marrëveshje të afërt me Iranin e ka zënë në befasi Netanyahun, i cili në atë moment po zhvillonte një takim me zyrtarë të lartë të sigurisë për dosjen iraniane.
“Për sa kohë që unë jam kryeministër i Izraelit, Irani nuk do të ketë armë bërthamore”, deklaroi Netanyahu.
Burimi izraelit tha se Tel Avivi mbetet skeptik ndaj negociatave dhe dyshon se Teherani po vepron me sinqeritet. Sipas tij, edhe nëse SHBA-ja dhe Irani nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi, kjo nuk garanton arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes palëve.
Top Channel