Në jug të Spanjës, rritja e nivelit të detit po kërcënon të gllabërojë tokën, duke rrezikuar shtëpitë dhe mjetet e jetesës. Vija bregdetare përreth rajonit të Deltës së lumit Ebro po tërhiqet rreth pesë metra çdo vit dhe vendasit thonë se po bëhet pak për të shpëtuar rajonin.
Në pamje të parë, delta e Ebros duket të jetë një parajsë bregdetare.
Me një sipërfaqe prej 320 kilometrash katrorë, ajo ofron një larmi të pasur mjedisesh si kënetat e kripura, dunat, plazhet, pyjet buzë lumenjve dhe lagunat bregdetare.
Aty gjendet edhe një shumëllojshmëri e faunës, duke përfshirë zogjtë, zvarranikët, peshqit dhe amfibët e mbrojtur nga statusi i dhënë si park natyror.
Por, pas disa dhjetvjeçarësh të menaxhimit të keq të ujit dhe rritjes së nivelit të detit për shkak të ndryshimeve klimatike, ekziston rreziku i zhdukjes së një prej zonave natyrore më të rëndësishme dhe unike të Evropës Jugore.
Çdo verë, mijëra turistë vijnë për të shijuar bukurinë e këtij parku natyror.
Vizitorët mund të bëjnë ski mbi ujë, shëtitje në parkun ku jetojnë kafshë të egra dhe mund të shikojnë shpendët nga një kullë vëzhgimi.
Maria Auxiliadora është turiste nga Madridi.
“Ndihem e trishtuar sepse bukuria e natyrës po kërcënohet. Dhe janë gjithë ata njerëz që e kanë jetën dhe të ardhurat e tyre të lidhur me këtë zonë në Tarragona. Kjo është hera që vij këtu dhe më pëlqen. Shpresoj se do të jem në gjendje të kthehem me fëmijët përpara se e gjithë kjo të zhduket”.
Përgjatë 910 kilometrave të lumit Ebro, lëvizja i tij ndërpritet nga 70 diga përpara se të derdhet në Mesdhe.
Sipas statistikave nga Instituti Rajonal për Kërkimin dhe Teknologjinë Agroushqimore (IRTA), mbi 90 për qind e sedimenteve që përndryshe do të ushqente fushat e orizit dhe butakët në det të hapur, humbet në rrjedhën e sipërme dhe nuk arrin kurrë në det.
Si pasojë, delta po përballet me fenomenin e fundosjes.
Por situata aktuale nuk po kërcënon vetëm natyrën, por edhe aktivitetin ekonomik të mijëra bizneseve duke përfshirë bujqësinë, peshkimin dhe turizmin.
Luis Soler është kryetari i bashkisë së Deltebre, fshati më i madh në deltë.
“Unë mendoj se rajoni mund të ngrejë zërin e tij në nivele të ndryshme. Pavarësisht se ne nuk jemi një zonë e madhe që e arrin lehtësisht vëmendjen gjatë zgjedhjeve si kombëtare ashtu edhe ato rajonale, ne nuk parashikojmë të bëhemi refugjatët e parë klimatikë në Evropë”, tha zoti Soler.
Në dhjetvjeçarët e fundit, kriza e deltës së Ebros ka qenë një dramë e ngadaltë.
Por në janar të vitit 2020 stuhia “Gloria” e bëri deltën kryelajm.
Erërat e forta dhe dallgët gjigante bënë që deti të përmbyste një zonë të madhe, duke përfshirë 3000 hektarë fusha orizi dhe shumë plazhe praktikisht u zhdukën nga sytë.
Fotoja më e famshme e dëmtimit që ka sjellë “Gloria” në deltë është ajo e një restoranti në plazhin Marquesa, i cili ka mbetur pothuajse tërësisht i rrethuar nga uji.
Vascos është një restorant i famshëm i drejtuar nga e njëjta familje për pesë breza.
Por 30 vjet më parë, ai nuk ishte një restorant plazhi, pasi qëndronte 800 metra larg detit.
Sot, një valëpritës i ri po pengon dëmin ndërsa deti vazhdon të përparojë me një ritëm prej tre metrash çdo vit.
Për më tepër, për shkak se tani ndodhet në tokë shtetërore në breg të detit, ndërtesa rrezikon të prishet nga autoritetet.
Maria Cinta është një nga pronaret.
“Dikur qëndronim 800 metra larg detit. Tani deti është para derës sonë pasi autoritetet nuk bënë gjë. Por ne nuk jemi të vetmit të prekur nga situata. Është e gjithë bashkia”, thotë zonja Cinta.
Plazhi Marquesa mbetet ende jashtë restorantit.
Sot plazhi ka humbur një pjesë të bukurisë së tij, pasi vija detare po ndryshon vazhdimisht.
Ky turist nga Madridi është pesimist për të ardhmen.
“Unë mendoj se kjo është një çështje globale. Pavarësisht se çfarë bëjnë ata, deti do të vazhdojë të rritet dhe kjo vijë bregdetare do të tërhiqet një kilometër, apo edhe më shumë”, thotë zoti Rufo.
Në shkurt të vitit 2021 qeveria qendrore prezantoi planin e saj për të mbrojtur Deltën e Ebros.
Plani sugjeron një regres të planifikuar të vijës bregdetare, me kuota të ndryshme në varësi të zonave dhe karakteristikave të tyre.
Në Riumar, fshati më i madh bregdetar i deltës, regresioni i planifikuar i pashmangshëm u përcaktua të jetë 264 metra.
Kjo do e bënte atë ndër qendrat e para urbane evropiane të mbetura të pabanueshme nga ndryshimet klimatike.
Ky restorant ndodhet më pak se 50 metra larg detit dhe ditët i ka të numëruara.
Pronarja Yolanda Morello është e famshme për një nga ushqimet më të njohura tradicionale spanjolle, “paellat”.
Ajo thotë se banorët vendas të Riumarit duhet të lobojnë për një plan tjetër.
“Politikanët nuk do të bien dakord për një strategji të përbashkët. Jemi ne vendasit ata që duhet të luftojmë dhe të bëjmë përpjekje. Ne që jetojmë këtu. Sepse ata kurrë nuk na dëgjojnë”, shpjegon ajo.
Përveç bukurive natyrore të plazheve dhe zonave me kafshë të egra, peizazhi i këtij rajoni plotësohet nga 22,000 hektarë fusha orizi, shumë prej tyre nën nivelin e detit.
Në Delta rritet varianti unik i orizit, një kokërr gjysmë e gjatë e bluar e mbrojtur që nga viti 1992 nga përcaktimi i origjinës “Arròs del Delta de l’Ebre”.
Kjo fushë nuk është shumë larg nga bregu i detit. Ajo gjithashtu është dëmtuar nga stuhia “Gloria” e vitit 2020 dhe nga stuhia “Filomena” e vitit 2021.
Sot fermerët po spërkasin pesticide për të përgatitur drithërat për vjelje në tetor.
Marc Bartomeu është fermer orizi.
Ai thotë se vendet e tjera po bëjnë një punë më të mirë në mbrojtjen kundër rritjes së nivelit të detit.
“Jemi në një tokë fushore në nivelin e detit. Ne po vuajmë pasojat e mosveprimit të administratave të ndryshme. Në vendet e tjera të BE-së po marrin masa. Në Holandë për shembull kanë nisur masat para disa dekadash. Por, këtu nuk kanë bërë asgjë. Kjo ka bërë që deti të pushtojë shtëpinë tonë”, thotë zoti Bartomeu.
Sipas studimeve të publikuara nga Universiteti Politeknik i Katalonjës, delta aktualisht po përjeton atë që shumica e plazheve në mbarë botën do ta përjetojnë në vitet 2050 ose 2070.
Julio Barea është përgjegjës për fushatën e ujit të “Greenpeace” të Spanjës.
“Është e qartë se shumë zona bregdetare tashmë janë zhdukur për shkak të rritjes së nivelit të detit dhe uljes së sasisë së sedimenteve që sjell lumi Ebro. A është kjo e pashmangshme? Nëse gjërat vazhdojnë të menaxhohen në këtë mënyrë situata duket e pakapërcyeshme dhe vështirë të rikuperosh tokën e humbur”, thotë zoti Barea.
Debati ndërkaq po vazhdon për atë që duhet bërë për të shpëtuar deltën e Ebros.
Në vitin 2021, Bashkimi Evropian prezantoi projektin “Rest-Coast”.
Projekti identifikon 12 pika bregdetare ku kërkohen zgjidhje urgjente strukturore për të luftuar ndryshimet klimatike.
Janë theksuar tre vende me përparësi: Laguna e Venecias, Deti Wadden në Detin e Veriut dhe Delta Ebro./VOA
Top Channel