Në kërkim të rrënjëve europiano-shqiptare, pasardhësit e aktorit të madh me famë botërore Aleksandër Moisiu mbërritën, këtë fundgushti, në Durrës, qytetin ku Moisiu kaloi një pjesë të fëmijërisë së tij.
Filantropi i njohur amerikan Nicolas Berggruen dhe vëllai i tij, historiani i artit Olivier Berggruen janë djemtë e aktores gjermane Betina Moisi, vajzës së Aleksandër Moisiut, që trashëgoi profesionin e të atit.
“Është një lidhje familjare, kujtese dhe kulture. Fatmirësisht nëna jonë, vajza e tij është gjallë. Ndjehem me fat që jemi këtu ku ai jetoi si fëmijë i vogël, në Shqipëri. Ndjehesh i emocionuar dhe mirë teksa ndjen lidhjet me vendin nga vjen.” – tha Nikolas Berggruen, nipi i A.Moisiut, filantrop
Të rritur në Paris, ndërsa e ëma u fliste gjermanisht, nipat e Moisiut jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Origjina europiane është pasaporta e tyre, por kohët e fundit njohja më nga afër e vendit të origjinës së gjyshit nga mamaja është kthyer në një dëshirë të ethshme për ta.
“Është hera ime e parë në Shqipëri, vend i mrekullueshëm. Ndjehem me fat të zbulojmë që ky vend ka ndryshuar aq shumë dekadat e fundit. Një vend shumë interesant dhe plot kujtime për ne dhe familjet tona. Gjyshi ynë vinte nga një komunitet ortodoks këtu dhe gjurmët e tij, trashëgimia janë të dukshme.”- tha Olivier Berggruen, nipi i Moisiut, historian arti.
“Çdo vit që kalon ndjehemi më afër të qenit shqiptar.”- tha Nicolas Berggruen
Gjatë vizitës në Durrës nipat e Moisiut u ndalën jo vetëm në shtëpinë-muze të Moisiut e cila hapi dyert për ta ndonëse e dëmtuar nga tërmeti, por edhe në Amfiteatrin Antik dhe teatrin e Durrësit që mban emrin e aktorit të madh.
”Kam qenë këtu dhe në vitin 1994 dhe është kaq mirë që ai, Moisiu, është ende gjallë përmes teatrit dhe frymëzimit që jep te njerëzit, aktorët dhe këtu në këtë godinë. Është e mrekullueshme që ai është ende këtu me ne, falë jush.”– tha Nicolas Berggruen
Duke u shprehur me nota entuziaste per strukturën e teatrit ata uruan jetëgjatësi për teatrin durrsak që në janar feston 70-vjetorin e tij. Gjatë bisedës u diskutua dhe vendosja e emrit të Moisiut në ballinën e teatrit, një ide e skicuar rreth 5 dekada më parë, po që ende nuk e ka gjetur rrugën e realizimit.
Top Channel