Gjykata e Elbasanit ka lënë në arrest me burg tre shtetasit rus, të cilët akuzohen për spiunazh.

Prokuroria e Elbasanit u paraqit para gjykatës me katër akuza, ndërsa në përfundim gjyqtarja vendosi që akuzat që qëndrojnë dhe me të cilat do të përballen rusët e arrestuar në uzinën e armëve në Çekin të Gramshit janë “goditje për shkak të detyrës” dhe “dhënie e informacioneve sekrete”.

Mikail Zorin dhe Zvetlana Timofeva janë përfaqësuar në gjykatë me avokatë kryesisht, ndërsa ukrainasi Fedir Alpatov ka tashmë interesimin e familjarëve, të cilët kanë kontaktuar avokatin Sajmir Visha.

Teksa përfaqësonte Mikail Zorin, 23-vjeçari që u kap në perimetrin e Uzinës së Armëve në Gramsh, avokat Demir Çiftja e ka cilësuar të ligjshëm arrestimin, por ka kërkuar masë sigurie “Detyrim paraqitje” dhe mos lejim të daljes jashtë vendit.

Dy avokatët e tjerë e kanë cilësuar arrestimin të paligjshëm dhe kanë kërkuar lirim të menjëhershëm ose ndjekje në gjendje të lirë pa mundësi të largimit nga Shqipëria. Avokatët pretendojnë se nuk janë njohur me të provat dhe dëshmitë që posedon organi i akuzës.

Nga ana e saj, Prokuroria konkludon se deri në këtë fazë të hetimit posedon bazën e arsyeshme të të dhënave  që krijon dyshimin e bazuar në prova se tre shtetasit e huaj të arrestuar kanë ardhur në Shqipëri me mision nga Shërbimet e Inteligjencës ruse, me detyra të përcaktuara. Në bazë të nenit 279 të Kodit të Procedurës penale, prokurori ka urdhëruar ruajtjen e sekretit hetimor.

Konsullja e Ukrainës nga ana e saj, e cilësoi të pafajshëm ukrainasin Fedir Alpatov.

Pas dhënies së masës së sigurisë, Zvetlana Timofeva do të dërgohet në paraburgimin e grave në kryeqytet ndërsa Mikail Zorin dhe Fedir Alpatov do të qëndrojnë në paraburgimin e Elbasanit deri në përfundimin e hetimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA