Sa më shumë thellohen telashet e tij në Ukrainë, aq më shumë Vladimir Putin do të shtojë përpjekjet për të përçarë Perëndimin.
Në komentin e tij për Sky News, që më shumë i ngjasonte një paralajmërimi, ish-ambasadori britanik në Rusi, Sir Roderic Lyne e tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë tek rajoni i Ballkanit.
“Unë mendoj se ai do të përpiqet të inkurajojë më shumë konflikt në Ballkan. Them se do t`i shohim rusët të bëhen edhe më aktivë në lindje dhe në Afrikën veriore”, u shpreh Roderic Lyne, ish ambasador britanik në Rusi.
Ambasadori përcolli bindjen e tij se në një moment te caktuar, lideri rus mund të ofrojë një lloj armëpushimi në këmbim të njohjes së aneksimit të katër provincave perëndimore të Ukrainës. Mendoj se ai do të përdorë një sërë taktikash pasi situata në terren në Ukrainë po bëhet gjithmonë e më e vështirë për trupat e tij, shtone Lyne.
Ndërkohë, planet ruse për Ballkanin vazhdojnë me në fokus minimin e mbështetjes politike të vendeve të rajonit për BE-në, dhe me përpjekjet për t`i kthyer në mbështetës të Moskës. Duke e mbajtur rajonin në dhomën e pritjes që prej 2003-shit, Brukseli e ka tkurrur ndjeshëm influencën e tij.
Bashkimi Europian nuk duhet të harrojë thonë ekspertët, se i nevojiten këta aleatë për të luftuar sfidat e mëdha të sigurisë. Përndryshe, do të lërë pas një Ballkan gjithnjë e më të përçarë, ku Rusia ka kultivuar grupe nacionaliste dhe përdor dezinformimin për të minuar narrativat pro-demokracisë.
Top Channel