Armenia kërkon ndihmë nga ndërkombëtarët për ndalimin e dhunës në Nagorno Karabak

03/08/2022 20:15

Armenia i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i ndihmojë që të ndalë “veprimet agresive” të Azerbajxhanit, pas shpërthimit të dhunës në rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut.

Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit në Nagorno Karabak.

Armenia “i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë masa për të ndalur veprimet agresive dhe sjelljen e Azerbajxhanit dhe të aktivizojë mekanizmat e nevojshëm për një gjë të tillë”, tha Minsitria e Jashtme më 3 gusht.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka lëshuar një deklaratë në përgjigje të dhunës në rajon. Në deklaratë thuhet se Azerbajxhani ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit dhe se kontingjenti i paqeruajtësve po “ndërmerr masa për të stabilizuar situatën, së bashku me përfaqësuesit e Azerbajxhanit dhe Armenisë”.

Si Armenia, ashtu edhe Azerbajxhani, kanë raportuar për viktima nga armiqësitë e reja.

Azerbajxhani tha se trupat e Armenisë kanë hapur zjarr ndaj pozicioneve ushtarake të Azerbajxhanit në qarkun Laçin, që është nën kontrollin e paqeruajtësve rusë që prej nëntorit të vitit 2020, duke vrarë një rekrut.

Ndërkaq, autoritetet etnike armene në Nagorno Karabak akuzuan Azerbajxhanin për shkelje të armëpushimit. Ata thanë se Azerbajxhani ka sulmuar me granata dhe dronë, duke shtuar se dy ushtarë armenë janë vrarë dhe 14 janë plagosur.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë zhvilluar një luftë për Nagorno Karabakun më 2020. Armenia humbi kontrollin e disa pjesëve të këtij rajoni në marrëveshjen e armëpushimit që u ndërmjetësua nga Rusia. Vlerësohet se 2.000 trupa ruse janë dërguar për të monitoruar situatën.

Nagorno Karabaku, që për tri dekada është kontrolluar nga armenët etnikë, pas luftës më 2020 njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA