Katedralja “Notre Dame” në Paris është një ndër monumentet kulturore më të bukura në botë, por pas zjarrit që ra në vitin 2019 mundësia për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme “u shua” ditë pas dite.

Megjithatë duket se mrekullia ka ndodhur, teksa tashmë po mendohet që katedralja të hapet për vizitorët në vitin 2024. Lajmin e ka dhënë ministri francez i Kulturës, Rima Abdul Malak.

Monumenti i Parisit i shekullit të 13-të mori flakë në prill të vitit 2019. Që atëherë, një projekt i madh restaurimi është kryer me synimin për ta rikthyer atë në modelin e tij të mëparshëm.

Top Albania Radio shkruan se rihapja e objektit të famshëm turistik përkon me Olimpiadën e Parisit 2024, kur mijëra spektatorë pritet të mbërrijnë në Francë. Restaurimi dhe ndërtimi i katedrales Notre Dame me kosto 850 milionë euro përfshin tri faza.

Ka përfunduar faza e parë e pastrimit të rrënojave në ambientet e brendshme dhe sigurimi i qëndrueshmërisë së objektit.

Faza e dytë përfshin punimet në kornizat dhe çatitë. Kurse rindërtimi i majës do të fillojë në fund të verës, ndërkohë që faza e tretë dhe e fundit do të fokusohet në rindërtimin e jashtëm. Është krenaria e Parisit dhe një prej atraksioneve më të njohura në botë.

Por theksojmë se Kulla Eiffel ka nevojë të dëshpëruar për riparim. Struktura e lartë prej çeliku që dominon qytetin e dritave thuhet te jetë në gjendje të mjerueshme dhe është mbuluar nga ndryshku.

Kjo bëhet e ditur në një raport konfidencial të cituar nga revista franceze ‘Marianne’.

Top Channel