Mes tensioneve në rritje SHBA-Kinë/ Biden dhe Xi, bisedë telefonike mbi 2 orë

28/07/2022 20:25

Presidenti Joe Biden dhe homologu tij kinez Xi Jinping zhvilluan bisedën e pestë të presidencave të tyre të enjten, duke folur për më shumë se dy orë teksa hartojnë të ardhmen e marrëdhënieve të tyre të ndërlikuara në një kohë tensionesh ekonomike dhe gjeopolitike në rritje.

Shtëpia e Bardhë tha se thirrja telefonike filloi në orën 8:33 të mëngjesit dhe përfundoi në orën 10 e 50 sipas orës së Uashingtonit. Biseda u zhvillua pasi presidenti Biden synon të gjejë mënyra të reja për të punuar me fuqinë globale në rritje, si dhe strategji për të frenuar ndikimin e Kinës në mbarë botën.

Perspektivat e ndryshme mbi shëndetin global, politikën ekonomike dhe të drejtat e njeriut kanë testuar prej kohësh marrëdhëniet mes të dy vendeve – me refuzimin e Kinës për të dënuar sulmin rus në Ukrainë duke shtuar tendosje të mëtejshme në marrëdhëniet mes të dy vendeve.

Pika e fundit e tensionit ka qenë vizita e mundshme e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në Tajvan, ishull që qeveris veten në mënyrë demokratike dhe merr mbështetje joformale mbrojtëse nga SHBA, por që Kina e konsideron pjesë të territorit të saj. Pekini ka thënë se do ta konsideronte një udhëtim të tillë si një provokim, një kërcënim që zyrtarët amerikanë po e marrin me seriozitet të shtuar nën dritën e inkursionit të Rusisë në Ukrainë.

Pekini ka lëshuar paralajmërime të përshkallëzuara për pasoja nëse zonja Pelosi viziton Tajvanin, një lëvizje që do të ishte një shfaqje dramatike, edhe pse jo e pashembullt, e mbështetjes së SHBA për ishullin, i cili thotë se po përballet me kërcënime në rritje ushtarake dhe ekonomike nga ana e Kinës.

Uashingtoni nuk ka marrëdhënie zyrtare me Tajvanin dhe ndjek politikën “një Kinë” që njeh diplomatikisht Pekinin, jo Taipein. Por është e detyruar me ligj që t’i sigurojë ishullit mjetet për të mbrojtur veten ndërsa është rritur trysnia në Kongres për mbështetje më të qartë.

“Kjo ka të bëjë me mbajtjen e linjave të komunikimit të hapura me presidentin e Kinës, një nga marrëdhëniet dypalëshe më të rëndësishme që kemi, jo vetëm në atë rajon, por në mbarë botën, sepse prek kaq shumë çështje,” u tha gazetarëve të mërkurën zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë John Kirby.

Disa analistë besojnë se presidenti Xi gjithashtu ka interes për të shmangur përshkallëzimin pasi ai kërkon një mandat të tretë të paprecedentë në detyrë në një kongres të Partisë Komuniste në pushtet që pritet në vjeshtë.

Presidenti Biden dëshiron gjithashtu të diskutojë çështjet e klimës dhe konkurrencës ekonomike, tha një person i informuar për bisedën, si dhe idenë e vendosjes së një kufiri të çmimit të naftës ruse për të ndëshkuar Moskën për luftën e saj në Ukrainë, një çështje që Sekretarja e Thesarit Janet Yellen e ngriti me homologët kinezë më herët në korrik.

Administrata Biden ka debatuar nëse do të heqë disa tarifa për mallrat kineze si një mënyrë për të lehtësuar inflacionin në rritje.

Kur presidenti Biden foli për herë të fundit me homologun Xi në mars, ai paralajmëroi për “pasoja” nëse Pekini do të jepte mbështetje materiale për luftën e Rusisë, dhe qeveria amerikane beson se kjo vijë e kuqe nuk është kaluar.

Tajvani është ankuar për manovra të shtuara ushtarake kineze gjatë dy viteve të fundit për ta detyruar atë të pranojë sovranitetin e Pekinit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA