Rritja e ekonomisë botërore po ngadalësohet dhe perspektivat për një rikuperim të shpejtë janë të zymta, tha të martën Fondi Monetar Ndërkombëtar.
FMN-ja tha se pret që rritja të ngadalësohet nga 6.1% që ishte vitin e kaluar në të gjithë globin në 3.2% këtë vit, 0.4 përqind më ulët nga parashikimi në muajin prill.
“Një rimëkëmbje e paqëndrueshme në vitin 2021 është pasuar nga zhvillime gjithnjë e më të zymta në vitin 2022 pasi rreziqet filluan të materializohen”, tha FMN-ja. “Prodhimi global u tkurr në tremujorin e dytë të këtij viti, për shkak të rënieve ekonomike në Kinë dhe Rusi, ndërkohë që shpenzimet konsumatore të SHBA-së ishin më pak se pritshmëritë”.
Agjencia ndërkombëtare e financave me seli në Uashington tha se “disa goditje kanë tronditur ekonominë botërore tashmë të dobësuar nga pandemia: inflacioni më i lartë se sa pritej në mbarë botën – veçanërisht në Shtetet e Bashkuara dhe ekonomitë kryesore evropiane – duke shkaktuar kushte më të vështira financiare; një ngadalësim më i lartë nga sa ishte parashikuar në Kinë, dhe pasoja të mëtejshme negative nga lufta e Rusisë në Ukrainë.”
FMN-ja tha se çmimi i mallrave të konsumit, veçanërisht për ushqimin dhe energjinë, po rritet në të gjithë botën. Kostoja pritet të rritet me 6.6% në ekonomitë e përparuara këtë vit dhe me 9.5% në tregjet në zhvillim dhe ato me zhvillim të shpejtë.
FMN-ja tha se lufta në Ukrainë “mund të çojë në një ndalesë të papritur” të eksportit rus të gazit natyror në vendet evropiane dhe se “inflacioni mund të jetë më i vështirë për t’u ulur sesa pritej” nëse punëdhënësit nuk mund të gjejnë punëtorë të mjaftueshëm për të përmbushur kërkesat e tyre për punë ose nëse inflacioni rritet me një ritëm më të shpejtë se sa pritej.
FMN-ja tha se një “skenar alternativ i mundshëm” ndaj parashikimit të saj tashmë të ulur do të ishte një ekonomi botërore “në të cilën rreziqet materializohen, inflacioni rritet më tej dhe rritja globale bie” në rreth 2.6% dhe 2% për qind në vitin 2022 dhe 2023, respektivisht.
“Me rritjen e çmimeve që vazhdojnë të ulin standardet e jetesës në mbarë botën, zbutja e inflacionit duhet të jetë përparësia e parë për politikëbërësit,” tha FMN-ja./VOA
Top Channel