Paralajmërimet e Rusisë se mund t`i mbyllë sërish rubinetat e gazit, nuk e kanë penguar Bashkimin Europian t`i shkojë deri në fund planeve për të vendosur sanksione të reja ndaj Moskës.
Ky hap vjen pasi vendet anëtare të bllokut mbështetën një sërë masash mes tyre ndalimi i importit të arit rus si dhe shtrëngimi i kontrollit mbi eksportin e disa mallrave të teknologjisë së lartë dhe pavarësisht faktit që Rusia e rinisi furnizimin me gaz përmes tubacionit të saj më të madh, Nord Stream 1, pas një pauze 10 ditore për punime të mirëmbajtjes.
Komisioni Europian Ursula von der Leyen tha se përforcimi i sanksioneve e shtrirja në kohë e tyre i dërgon “një sinjal të fortë Moskës se ne do të vazhdojmë të ushtrojmë trysni për aq kohë sa të duhet”.
Ende nuk ka detaje mbi sanksionet e reja pasi ato pritet të postohen në fletoren zyrtare të BE-së.
Gjatë gjithë javës zyrtarët evropianë kanë kërkuar të shtrëngojnë paketën e gjerë të sanksioneve ndaj Rusisë, duke i shtuar dhe një vendim për ndalimin e eksportit të arit, me shpresën se masat të kenë një ndikim vendimtar në luftën në Ukrainë.
“Për momentin ‘gjëja më e rëndësishme është ndalimi i arit rus’, industria e dytë më e madhe e eksportit e këtij vendi, pas energjisë. Kjo është pjesë më e rëndësishme e planit tonë të fundit, të fokusuar më së shumti tek përmirësimi i implementimit të sanksioneve ekzistuese”, tha Josep Borell.
Muajin e kaluar grupi i shtatë vendeve me të industrializuara të botës, G7, u angazhua për një ndalim të arit rus, duke theksuar se Moska ka përdorur atë për të anashkaluar ndikimin e disa raunde sanksionesh të vendosura nga Perëndimi. Krahas masave kufizuese, BE-ja vendosi gjithashtu të japë 500 milionë euro të tjera ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Top Channel