Një 17-vjeçar duke luajtur në një zonë të gjelbëruar në Laprakë pretendon se ka gjetur një armë zjarri kallashnikov së bashku me municione, por në vend që ta dorëzonte në policia ai preferoi ta fshehë afër banesës me qëllim për ta shitur.
Kjo aventurë i hapi telashe me drejtësinë pasi pasditen e së martës ai u arrestua dhe për shkak të moshës u procedua në në gjendje të lirë për armëmbajtje pa leje.
Telashe patën dhe dy fqinjë të tij që po ashtu u proceduan për moskallzim krimi.
Arma e sekuestruar u dërgua në laborator për ekzaminim për të parë nëse është përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.
Ndërkohë policia ka dyshime se version i adoleshentit se arma do të shitej nuk është i besueshëm.
Uniformat blu dyshojnë se arma mund të përdorej edhe si mjet kërcënues për grabitje që i mituri apo të njohur të tij mund të kryenin.
Jo vetëm në Tiranë por në të gjithë vendin është kthyer problem serioz përfshirja e të miturve në vepra penale.
Top Channel mëson se në 6 muaj të dyshuar për një vepër penale kanë qenë 800 të mitur të cilët përbëjnë 5% të veprave penale të kryera në këtë hark kohor.
Në një operacion tjetër të policia e Tiranës në dy banesa me qera gjeti e sekuestroi 7 armë zjarri 4 silenciatorë, municion luftarak, lëndë e dyshuar narkotike, 2 radio si ato të Policisë si dhe doreza, maska e targa te falsifikuara.
Në pranga ranë 25 vjeçari, Kristjan Gjini dhe 22 vjecarja, Franceska Kolgjegja. Policia dyshon se të rinjtë janë pjesë e një grupi kriminal dhe mund të kryenin ngjarje kundrejt pagesës.
Hetimet po thellohen për të identifikuar dhe persona te tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.
Top Channel