Vdekja e Giorgos Mazonakis, dalin detaje të reja nga klinika: Defibrilatori nuk po funksiononte

25/09/2026 13:02

Detaje të reja janë bërë pjesë e hetimit për vdekjen e këngëtarit grek Giorgos Mazonakis, i cili humbi jetën gjatë një trajtimi me plazmaferezë në një klinikë në rrugën Karneadou.

Para hetuesit të rregullt të 42-të kanë dëshmuar një infermiere dhe hipnoterapisti 56-vjeçar Nasos Komianos. Infermierja ka deklaruar se mbërriti në klinikë rreth orës 15:00 dhe Mazonakis ndodhej aty. Ajo ka sqaruar se në dëshminë e parë kishte dhënë orën 15:30 si kohën e mbërritjes së këngëtarit, pasi kjo ishte ora që i ishte komunikuar nga mjeku.

Sipas saj, deri rreth orës 16:00 gjithçka ishte në rregull. Më pas u kryen dy telefonata, njëra me anesteziologun dhe tjetra me personin që kishte furnizuar klinikën me defibrilatorin. Infermierja tha se pajisja nuk po funksiononte dhe se iu shpjegua se duhej të ishte e karikuar.

Ajo deklaroi gjithashtu se nuk e dinte që pajisjet e klinikës mund të ishin të paligjshme dhe se nuk ishte në dijeni për ekzistencën e një protokolli specifik për trajtimin. Sipas saj, udhëzimet jepeshin nga mjeku.

Në hetim ka dëshmuar edhe hipnoterapisti Nasos Komianos. Ai tha se ishte kontaktuar për herë të parë nga një menaxher më 27 gusht, për një takim me Mazonakis. Sipas dëshmisë së tij, takimi u planifikua fillimisht për 8 shtator, por më pas u zhvendos për 7 shtator në një restorant në Psikiko.

Komianos ka deklaruar se pas takimit, mjeku kishte komunikuar me Mazonakis lidhur me pagesën dhe trajtimet. Dëshmitë e të dy personave janë përfshirë në materialet e hetimit, ndërsa autoritetet po vijojnë verifikimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së këngëtarit.

Top Channel